Aktualisht janë të mbyllura bankat lokale, dyqanet dhe kafenetë. Pikat e furnizimit të karburantit dhe kioskat e vogla tani për tani nuk kanë ndërmend ta ndërpresin punën. Qarkullimi rrugor në zemër të kryeqytetit ukrainas është kaotik, semaforët nuk funksionojnë.

Kryetari i administratës shtetërore të qytetit të Kievit, Vladimir Makeenko, pas trazirave që shpërthyen në kryeqytet vendosi të largohet nga radhët e Partisë së Rajoneve (partia në pushtet). Ai deklaroi se ka ndërmend të marrë përgjegjësi personale për funksionet vitale të qytetit, ku dy ditë më parë rifilluan përleshjet masive të protestuesve me policinë, viktima të të cilave janë bërë tashmë më shumë se 30 vetë.