Krijimi i këtij shërbimi është aq më tepër i nevojshëm, tha Viviane Reding, pasi ne tani për tani nuk kemi se çfarë t’i kundërvemë spiunazhit global të amerikanëve në Evropë. Ndërsa ajo duhet mbrojtur me çdo kusht nga penetrimi i pakontrolluar amerikan. Zonja Komisionere ka premtuar të merret personalisht me zhvillimin e idesë: "NSA-ja duhet të ketë një kundërpeshë. Propozimi im afatgjatë konsiston në organizimin e Shërbimit të Inteligjencës Evropiane në vitin 2020".

Shumica dërrmuese e ekspertëve rusë është e prirur të mendojë se ideja në fjalë është e destinuar për dështim. Natyrisht, është e plotësisht e kuptueshme përse në BE u ngrit vala "për të patur inteligjencën e vet". Për të ndërmarrë një hap të tillë evropianët i shtyu NSA-ja, thotë Dimitri Danillov:

- Mua më duket se krijimi i një departamenti apo shërbimi të tillë të centralizuar të inteligjencës brenda vetë BE-së nuk ka gjasa të ketë sukses. Për shumë arsye. Kjo është një sferë kaq e ndjeshme dhe kaq delikate, saqë fjalë mund të bëhet vetëm për kanalet e shkëmbimeve dypalëshe dhe jo për një sistem të plotë të centralizuar.

Nuk ka gjasa që "shërbimi vetiak i inteligjencës" t’i duhet në të vërtetë Evropës, por ideja është e realizueshme, tha në intervistën e vet me "Zërin e Rusisë" Kreu i Agjencisë ruse të teknologjive të inteligjencës "Er-Tehno" të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Roman Romaçov. Praktikisht është e pamundur për të krijuar një shërbim të tillë të inteligjencës që të mund të mbrojë dhe t’i shërbejë interesave të të gjitha 28 vendeve të BE-së. Sepse si shumë të ndryshme janë ato, thotë Roman Romaçov:

- Ky është një reagim ndaj mbikëqyrjes në masë nga ana e SHBA-së. Europa po përpiqet tani të marrë revansh. Të ngrejë valën e informacionit, të provojë ndofarë idesh. Dhe, në përgjithësi, të tërheqë vëmendjen e qytetarëve evropianë ndaj faktit se qeveria e tyre është gjithashtu duke ndërmarrë masa kundërpërgjigjeje.

Ajo, se Evropa duhet të bëjë diçka me qëllim që në një farë mënyre "të spostojë nga fusha e vet" inteligjencën amerikane, kuptohet nga të gjithë. Por sot 80%-90% të të gjitha shërbimeve në infrastrukturën botërore IT i ofrojnë kompanitë private IT dhe 80-90 për qind e tyre janë amerikane, thotë Drejtori i Departamentit Evropian në Qendrën Carnegie Jan Techau (the Director of Carnegie Europe). Fusha për spiunazh, si i thonë fjalës, është e hapur. Për të ndryshuar situatën nevojitet një qasje radikalisht e re, "një mënyrë e re europiane e të menduarit" në këtë sferë, thotë Jan Techau. "Lojrat në krijimin e inteligjencës vetiake" nuk do të na ndihmojnë dot. Ne duhet të marrim nën kontrollin tonë komunikimin.