Aparati i pabanuar autonom nënujor "Klavesin-1R" (russ. "Клавесин-1Р"), gjatë operacionit vëzhgues në kuadër të studimit të objekteve të fundit të detit në një thellësi prej 1.5 kilometrash, ka regjistruar një lëvizje të pazakontë. Fillimisht shkencëtarët vendosën se aparati ka zbuluar një tufë të madhe peshqish, por shumë shpejt e kuptuan se e kishin gabim. Objekti i paidentifikuar doli të jetë një krijesë me përmasa të paimagjinueshme, tejet mbresëlënëse, e cila pak çaste më vonë sulmoi aparatin nënujor dhe filloi ta shkundë e lëkundë me forcë të madhe atë.

Kur "Klavesin-1R" e ngritën në sipërfaqe, shkencëtarët gjetën në korpusin (trupin) e tij një mori të shtypurash dhe gërvishtjesh. Po çfarë lloj krijese mund t’i këtë lënë këto gjurmë dhe përse iu vërsul batiskafit ajo? Për shpjegime Radiokompania "Zëri i Rusisë" iu drejtua zoologut Dimitri Isonkin​​:

- Unë do të tregohesha tejet i kujdesshëm ndaj lajmeve të këtij lloji. Pa pasur në dorë kurrfarë dëshmish faktike, të cilat shkencëtarët të mund t’i paraqesnin pas incidentit të ndodhur, ne mund të zhvillojmë vetëm bisedë boshe, krejtësisht të pakuptimtë.

Me të vërtetë, ku janë fotot e korpusit të dëmtuar të aparatit nënujor dhe video regjistrimi i krijesës së paidentifikuar të detit? Pasi dëmtimet sipërfaqësore "Klavesin-1R" mund t’i ketë marrë si rezultat i përplasjeve të zakonshme me objekte nënujore që ndodhen në fundin e detit. Dimitri Isonkin vëren si më poshtë vijon:

- Pas deklaratës "sensacionale", se shkencëtarët rusë kanë gjetur një përbindësh të madh në Arktik, botime të ndryshme filluan ta ekzagjerojnë kush e kush më fort këtë temë. Ndërkohë mbetet e paqartë nëse ka bërë vallë ndonjë deklaratë zyrtare në lidhje me këtë fakt Drejtori i Institutit të Problemeve të Teknologjisë Detare të Degës së Lindjes së Largët të Akademisë ruse të Shkencave, Leonid Naumov?

Siç është raportuar, burimi fillestar që dha këtë lajm ishte projekt i lajmeve EVROSMI. Në një shënim të shkurtër thuhej se Leonid Naumov i njoftoi ata në lidhje me "incidentin arktik" të aparatit nënujor "Klavesin-1R". Pas kësaj të gjitha agjencitë e lajmeve filluan të citojnë kush e kush më shpejt këtë "deklaratë". Por pati vend në të vërtetë një njoftim i tillë apo kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një lajm i rremë sensacional gazetaresk?

Dimitri Isonkin është mëse i bindur se nëqoftëse incidenti do të kishte ndodhur në të vërtetë, atëhere në vendet e gërvishtjeve e dëmtimeve të trupit të batiskafit do të kishin mbetur grimca të indeve të krijesës sulmuese, ose, nëse fjalë bëhet mbi ndonjë shkëmb nënujor, me të cilin është përplasur "Klavesin-1R", gjurmë me origjinë inorganike:

- Ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë e zbulimit të ndonjë specie të re të organizmave në thellësitë e ujërave të Arktikut. Kjo është plotësisht e mundshme. Por ne kemi nevojë për dëshmi me peshë, të pakundërshtueshme. Deklaratat zyrtare janë ende të parakohshme.

Çfarë ka ndodhur me të vërtetë dhe kush është gjetur nga shkencëtarët rusë në Arktik, mbetet tani për tani e panjohur. Megjithatë shpresojmë se ne me të vërtetë jemi në prag të zbulimit të një specie të re.