Pishtari i parë flakëroi në pikën më lindore të Rusisë - në kepin Dezhnev të Çukotkës (Chukotka). Ndryshe nga Lojrat Olimpike, stafeta e Pishtarit Paralimpik nuk fillon në Olimpia, në vendlindjen e Lojrave Olimpike. Organizatorët e tyre e përcaktojnë vetë vendin dhe mënyrën e ndezjes së pishtarit. Në rajone të ndryshme të Rusisë kjo do të bëhet në forma të ndryshme të veçanta. Zjarri do të përftohet nga rrezet e diellit, nga furra ruse dhe madje prej shkëndijave të vullkanit. Kështu, në Jakutia ceremonia e ndezjes së zjarrit të stafetës së Pishtarit të Lojrave Paralimpike u zhvillua në parkun natyror "Lenskie Stollbi" ("Shtyllat e Lena-s"). Zjarri u përftua me anë të goditjes së strallit, më saktë shkëndijave të nxjerra prej tij.

Gjatë kohës së zhvillimit të stafetës Pishtarin me zjarrin Paralimpik do ta mbajnë 1500 pishtarmbajtës. Në mesin e tyre janë figura publike, aktorë, artistë, sportistë dhe njerëz me aftësi të kufizuara fizike. "Për mua kjo është një lumturi jashtëzakonisht e madhe, e parrëfyer - të marr pjesë në stafetën e parë të Pishtarit Paralimpik në historinë e Rusisë", - thotë dy herë kampionia paralimpike në not Olesia Vladikina:

- Për mua kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme sepse sporti paralimpik është një pjesë e madhe e jetës sime. Ta ndjesh veten të përfshirë në këto Lojra - kjo është shumë e rëndësishme. Pavarësisht nga fakti se këto janë Lojra Dimërore, ndërsa unë rezultoj të jem përfaqësuese e sporteve verore. Do të dëshiroja shumë që banorët e Rusisë të fokusonin vemendjen e tyre në këtë eveniment sportiv në qytetet e veta, që ata të mbështesin sportistët e Lojrave Paralimpike dhe të ingranohen me përkushtim në këtë ngjarje. Zjarri mbart në vetvete cilësi shumë të rëndësishme - mirësinë dhe frymëzimin.

Nga brigjet e Paqësorit Pishtari me flakën Paralimpike do të udhëtojë nëpër të gjithë vendin. Ai do të vizitojë 45 qytete në Siberi, Transbajkalia, në Urale, në rajonin Qendror, në veri dhe në jug të Rusisë. Ja se çfarë thotë Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Paralimpik rus, Mihaill Terentjev:

- Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Rusisë dhe të gjithë botës për të mbështetur fuqimisht sportistët, për të përjetuar së bashku me ta dhe për t'iu gëzuar me gjithë shpirt fitoreve të tyre. Të gjithë pjesëmarrësve të Lojrave Paralimpike do të dëshiroja t’ju uroja suksese në disiplinat e tyre sportive, start të mbarë në gara. Të gjithë ata kanë përshkuar një rrugë të gjatë dhe të vështirë gjatë përgatitjes për pjesëmarrje në këtë eveniment, kanë bërë përpjekje të mëdha dhe harxhuar shumë forca për të treguar rezultatet e tyre më të mira.

Mihaill Terentjev beson se sportistët rusë do të jetë në gjendje për të treguar në Lojrat Paralimpike në Soçi rezultate jo më të këqija se në Vankuver në vitin 2010. Atëhere sportistët paralimpikë rusë fituan 38 medalje - 12 ari, 16 argjendi dhe 10 bronzi. Lojrat e XI Paralimpike Dimërore në Soçi do të mbahen nga 7-16 mars.