Pak më parë ai përgënjeshtroi zërat në qarkullim mbi dorëheqjen e vet vullnetare dhe deklaroi se nuk do të nënshkruajë asnjë nga dokumentet e miratuara në mbledhjen e së shtunës të Parlamentit ukrainas.

Të shtunën në mëngjes Ukrainën e alarmuan seriozisht thashethemet mbi arratinë e Viktor Janukoviçit nga vendi. Zhdukja e përkohshme e Kryetarit të shtetit u dha në mënyrë eksplicite parlamentarëve ukrainas kartën e bardhë (carte blanche). Vetëm për pak orë ata miratuan një pako të tërë të ligjeve reformiste dhe mbetën në pritje të ethshme të gjësë më kryesore - pranimit të dorëheqjes së presidentit, të cilën ai gjoja ia kishte drejtuar tashmë atyre me gojë dhe tani po e formulonte me shkrim. Por ja në qytetin e Harkovit (Kharkov) u shfaq papritmas për të gjithë Presidenti Viktor Janukoviç dhe i përgënjeshtroi të gjitha thashethemet në lidhje me dorëheqjen e tij vullnetare. Kjo deklaratë ishte një tentativë e dobët për të evidentuar se çfarë shansesh ka ai për presidencën e vet të mëtejshme. Një opinion i tillë u shpreh për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" nga analisti politik rus Fjodor Llukjanov:

- Deri tani mbetet ende krejtësisht e paqartë se çfarë prirjesh mbizotërojnë në lindje dhe në jug të Ukrainës. Dhe unë mendoj se Janukoviç refuzon të largohet zyrtarisht nga posti i vet vetëm sepse dëshiron të kuptojë nëse ka vallë ai ndonjë mbështetje serioze atje apo jo.

Duke perceptuar qartë se vullnetarisht Viktor Janukoviç nuk do të largohet nga posti presidencial, parlamentarët e morrën vetë vendimin për të. Përveç kësaj ata votuan për ripërtëritjen e veprimit të Kushtetutës së vitit 2004. Mbështetësit e Janukoviçit besojnë se ky vendim, po ashtu si dhe të gjithë të tjerët, të miratuar nga Verhovnaja Rada në ditët e fundit, është jokushtetues. Për këtë i deklaroi "Zërit të Rusisë" deputeti i parlamentit të Ukrainës, anëtar i Këshillit Politik të "Partisë së Rajoneve" (parti në pushtet), Oleg Carjov:

- Presidenti nuk ka nënshkruar amedamentet e bëra në Kushtetutë. Prandaj deri tani vazhdon të veprojë kushtetuta e modelit të vjetër. Kurse kjo do të thotë se Këshilli i Lartë nuk ka të drejtë të emërojë ministrat. Dhe në qoftë se këta ministra do të vetëemërohen, atëhere vartësit e tyre nuk kanë të drejtë të zbatojnë urdhërat e dhënë nga ata. Procedura e Impiçmentit në Ukrainë nuk është e miratuar ligjërisht. Në qoftë se Këshilli i Lartë ka marrë një vendim të tillë, në mënyrë që të hyjë në fuqi dokumenti duhet të nënshkruhet domosdoshmërisht nga Presidenti Viktor Janukoviç.

Faktin, që në Ukrainë ka ndodhur tashmë ndarja politike dhe sociale, nuk e vë më në dyshim askush. Pasojat e kësaj ndarjeje mund të shndërrohen në një tragjedi të vërtetë nëse nuk do të krijohet sa më parë Kabineti i Besimit Kombëtar i cili t’i kënaqë të gjithë.