Valentina Matvijenko gjatë takimit në fjalë u bëri thirrje të gjitha forcave të arsyeshme, të ndjeshme politike dhe sociale të Ukrainës që të bashkohen për të ndaluar veprimet që kërcënojnë integritetin territorial të vendit. Ja se çfarë deklaroi Kryetarja e Këshillit të Federatës:

- Për fat të keq udhëheqësit e opozitës, të cilët janë përfshirë në procesin negociator, dhe njerëzit në Sheshin e Pavarësisë (Majdan) janë dy forca krejtësisht të ndryshme. Ata që dolën në Majdan nuk kanë kërkesa apo pretendime të përcaktuara politike ndaj autoriteteve pushtetore në lidhje me të cilat mund të zhvilloheshin negociata. Megjithatë qëndrimi ynë rezulton i tillë: duhet bërë gjithçka e mundshme për arritjen e një zgjidhje paqësore të krizës jashtëzakonisht të rëndë politike. Në të njëjtën kohë në çdo shtet autoritetet janë të detyruara të garantojnë ruajtjen e rendit kushtetues dhe sigurinë e njerëzve në kuadër të Kushtetutës, në kuadër të legjislacionit veprues. Unë mendoj se të gjitha forcat e arsyeshme, të ndjeshme në Ukrainë, ndërsa ato janë shumica absolute e popullsisë së vendit, duhet të bashkohen në përpjekje për të ndalur dhunën, për t’i dhënë fund banditizmit, kusarisë, veprimeve anti-kushtetuese, sepse përndryshe kjo kërcënon integritetin territorial të Ukrainës.

Nga ana e vet Kryetari i Parlamentit të Krimesë, Vladimir Konstantinov, deklaroi se qeveria aktuale është bastioni i fundit i shtetit ukrainas. Në rastin e një grushti shteti në vend nuk do të ketë më autoritete legjitime, mendon Vladimir Konstantinov. Krimea mbështet qeverinë aktuale të Ukrainës dhe nuk e njeh legjitimitetin e veprimeve të zyrtarëve të kryera nën presionin e ekstremistëve:

- Shpëtimi i autoriteteve qendrore është bastioni i fundit që do të ruajë shtetin në vendin tonë. Kurse më pas duhet të analizojmë dhe të perceptojmë se çfarë mund të ndryshohet apo të përmirësohet. Në të ardhmen mund të ndërmerren shumë gjëra, vetëm në qoftëse nuk do të thyhen autoritetet pushtetore me metoda mizore mesjetare. Ne në autonomi (Krimea) kemi mbajtur vazhdimisht një qëndrim të ashpër ndaj këtyre veprimeve. Banorët e Krimesë janë të një mendimi në lidhje me faktin se sot "zjarri ka rënë brenda në shtëpinë tonë". Ne po na sulmojnë jonjerëz - këta janë, në fakt, mercenarë, militantë, terroristë, kjo që po bëjnë ata tani është intervencion. Ata nuk kanë ideologji, ata ndryshojnë në varësi të koniunkturës.

Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Krimesë Valentina Matvijenko dënoi gjithashtu qëndrimin e vendeve të caktuara që nxisin veprimet e forcave radikale në Majdan dhe i lejojnë vetes ndërhyrje krejtësisht të hapura, flagrante në punët e brendshme të një shteti sovran.