Debutimi i sportistes së re ruse në turneun ekipor të Olimpiadës i habiti të gjithë. Për programin e shkurtër ajo mori pikët më të larta nga gjyqtarët. Pas ekzekutimit të programit të lirë nën shoqërimin e muzikës impresionuese të filmit "Lista e Shindlerit" të gjithë të pranishmit në sallë - 12 mijë spektatorë - u ngritën në këmbë duke e duartrokitur me ovacione atë.

Vëzhguesit sportivë nuk i kursejnë lavdërimet dhe epitetet në superlativ në adresë të saj. Gazeta "Washington Post" ka vërejtur plasticitetin, fleksibilitetin e saj si dhe rrotullimin unikal që patinatorja kryen me një shpejtësi të pabesueshme. Një nga gazetaret më autoritative, që shkruajnë për patinazhin artistik mbi akull, Sandra Stevenson e botimit britanik "The Daily Telegraph" vuri në dukje qartësinë e linjave të figurave të ekzekutuara dhe ekspresivitetin muzikor të sportistes së re ruse:

- Julia është një vajzë fantastike dhe punon ajo me të vërtetë shumë. Është e pamundur të mbetesh indiferent kur shikon se si rrëshqet ajo mbi akull, kjo është diçka jashtëzakonisht e bukur! Përveç kësaj, ajo zotëron për mrekulli një element unikal teknik - rrotullimin vertikal në pozicion sparkatë (spakatë). Unë nuk njoh ndonjë njeri tjetër në botë që të mund ta bëjë këtë. Të habit, të impresionon pa masë, aftësia e saj për të komunikuar me publikun gjatë performancës.

Julia Lipnickaja ka lindur në kryeqytetin e Uraleve - në Ekaterinburg. Në moshën katër vjeçare e ëma e çoi atë në pistën patinazhit. Kur ajo mbushi 10 vjeç u shtrua për zgjidhje çështja: t’i japë fund angazhimit në disiplinën sportive të patinazhit apo të kalojë në nivelin e ri profesional. Në familjen e saj kanë vendosur që ta provojnë njëherë variantin e dytë dhe erdhën në Moskë me qëllim që t’ia prezantojnë vajzën për vlerësim trajneres së mirënjohur Eteri Tutberidze. Ajo e vuri re menjëherë se sa e qetë dhe e përqendruar ishte Julia. Sigurisht atë e habiti fleksibiliteti, plasticiteti i saj natyror dhe shtrirja (hapja). Këto veti i lejojnë Julia Lipnickaja-s të bëjë rrotullime unike, të cilat thjesht të lënë pa frymë, thotë Eteri Tutberidze:

- Është pikërisht talenti i saj që rrotullohet kështu. Ndonjë sportist tjetër do të shpenzojë gjysmën e kohës së stërvitjes për të bërë një rrotullim të tillë dhe nuk do të arrijë dot kurrë as pozicionet e kërkuara dhe as shpejtësinë e duhur.

Në moshën 15 vjeçare Julia Lipnickaja është kampione e Evropës, medaliste e argjendtë e finales së turneut "Grand Prix", ndërsa më parë ajo është bërë fituese e Kampionatit Botëror të Juniorëve. Fitorja në turneun ekipor në Lojrat Olimpike Dimërore në Soçi do t’i japë asaj siguri në debutimet e mëtejshme. Për këtë shprehet me besim vetë patinatorja:

- Me një titull të tillë do të jetë më e lehtë për të startuar në kampionatin individual. Sepse unë kam tashmë përvojën olimpike që është shumë e vlefshme, sigurisht.

Nëse do të mund ta fitojë Julia Lipnickaja turneun individual dhe të bëhet dy herë kampione olimpike, këtë nuk merr guximin ta parashikojë askush tani. Patinazhi artistik individual për femra mbetet një nga disiplinat më të paparashikueshme sportive, dhe shumë gjëra varen në të jo përgatitja fizike, por gjendja psikologjike, aftësia për të mbajtur nën kontroll emocionet. Edhe pse Julia ka provuar në mënyrë të përsëritur këtë sezon se në luftën e nervave ajo nuk ka të barabartë me veten.