Paralelisht me këtë ngjarje dramatike u shpalosën në Plovdiv të Bullgarisë. Por në këtë qytet ato ndodhën rreth xhamisë, e cila u sulmua nga një turmë e përbërë prej nacionalistëve dhe tifozëve të futbollit. Ata i indinjoi, i zemëroi pa masë, fakti se komuniteti mysliman po përpiqet t’i rikthejë vetes nëpërmjet gjykatës xhaminë e lashtë, e cila ishte tërhequr në favor të shtetit 100 vjet më parë.

Në thelb incidentet në Bullgari dhe Hungari janë krejtësisht të ndryshme. Por rrënja e tyre është një e vetme - intoleranca. Çfarë po ndodh aktualisht në periferi të Bashkimit Europian? Mendimi i analistit politik rus Fjodor Llukjanov:

- Në Evropë po vërehet zgjimi, rritja konservatore, motori i së cilës është armiqësia ndaj emigrantëve, qytetarëve të huaj, përpjekjet për asgjësimin e politikës së emigracionit. Nëqoftëse në vendet e pasura të Evropës Perëndimore intoleranca etnike, fetare e kështu me radhë lind nga druajtjet e klasës së mesme për cënimin e mirëqenies së vet, në Evropën Lindore gjithçka paraqitet akoma dhe më keq. Kriza, e cila goditi rreptësisht e pa mëshirë evropianolindorët, ka sjellë në arenën politike ekstremizmin dhe populizmin.

Hungaria, në këtë aspekt, është në përgjithësi një shembull i habitshëm i zhvillimit krejtësisht të kundërt. Modeli, që po mishëron aktualisht në jetë Kryeministri Viktor Orbán, ngjason më tepër me atë të vendeve post-sovjetike me prirje autoritare. Edhe pse si anëtare e BE-së Hungaria zyrtarisht duhet t'i përmbahet standardeve evropiane të demokracisë.

Partia "Jobbik", në përgjithësi, ngen çështjen anti-semite, kurse kjo, ndër të tjera, i përket modës së vjetër. Ksenofobët modernë evropianë, si rregull, nuk janë dhe aq anti-semitë, se sa anti-myslimanë, anti-emigrantë. Unë mendoj se udhëheqjes së kësaj partie i kanë ardhur tashmë në majë të hundës përballjet me akuzat për anti-semitizëm. Prandaj dhe vendosi ajo të ndërmarrë këtë aventurë ekstravagante me synim për të hequr qafe negativitetin. Vetëm se rezultati i përftuar do të jetë krejtësisht i kundërt. Mbajtja krejtësisht evidente tallëse e kongresit në godinën e sinagogës, edhe pse tashmë në të kaluarën, si të tillë, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do t’i shtojë partisë "Jobbik" aureolën e antisemitizmit.

Përsa i përket Bullgarisë, atje sistemi politik është në përgjithësi në gjendjen e rënies drastike. Dhe prandaj nuk është aspak për t’u çuditur atëhere që në tokën pjellore të pakënaqësisë së përgjithshme po lulëzojnë prirjet ultra të dhjathta, ksenofobike. Ndërsa mosmarrëveshja lidhur me xhaminë po shndërrohet në pogrome, në kaos evident.

Sigurisht, këto raste nuk përcaktojnë vektorin e zhvillimit evropian, mendon analisti politik rus Fjodor Llukjanov.Por ato sinjalizojnë megjithatë prezencën e problemeve të përgjithshme mjaft serioze në rajon. Duke pranuar vendet post-sovjetike në familjen evropiane, Bruksel mori mbi vete përgjegjësinë për zhvillimin e tyre në rrugën e tolerancës dhe demokracisë. Kurse tani ai po e ndjen fare qartë se ka hedhur mbi supet e veta një barrë suplementare.