Tani ai pothuajse çdo vit për disa muaj ndihmon Komitetin e posaçëm për të kërkuar në Afganistan ish-ushtarët sovjetikë. Nikollai Bistrov i tregoi Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" historinë e vet.

Nikollai Bistrov ka lindur në vitin 1964 në Krahinën e Krasnodarit. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare ai u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Dhe që pas disa muajsh u kap rob në Afganistan. Tentoi disa herë të arratisej prej andej, por pa sukses. Duke i mbijetuar mrekullisht rrahjeve të rënda të herëpasherëshme, një ditë të bukur ai u takua për herë të parë me Komandantin e Muxhahidëve Ahmad Shah Masood. Pas dështimit të përpjekjes së dytë për të marrë arratinë, ai u pajtua me fatin e vet prej robi lufte. Nikollai mësoi gjuhën vendase, u përshtat me mënyrën e të jetuarit të afganëve dhe, si përfundim, u konvertua në Islam. Rreth dy vjet më vonë, duke u përgatitur për t’u tërhequr, Ahmad Shah Masood i dha robërve ushtarakë të luftës mundësinë për t'u kthyer në atdhe ose për t’u arratisur, por Nikollai Bistrov vendosi të qëndrojë në Afganistan:

- Masood na mblodhi të gjithëve së bashku, shtatë vetë, dhe tha: "Kështu pra djema, ju mund të bëni zgjedhjen tuaj. Cili nga ju dëshiron të shkojë jashtë shtetit? Kush dëshiron të kthehet përsëri në Bashkimin Sovjetik? Në Bashkimin Sovjetik apo në Amerikë, ose në Angli, në Pakistan, Iran? Në cilin vend doni të shkoni?". Por të gjithë kishin frikë asaj kohe të kthehen në atdhe. Pothuajse të gjithë ngritën duart dhe thanë: "Ja, ne duam në Amerikë". Njëri tha: "Unë dua të shkoj në Francë". Dhe vetëm unë nuk ngrita dorën e nuk shpreha asnjë dëshirë. Ai u kthye me fytyrë nga unë e më thotë: "Po ti përse nuk e ngre dorën? - Unë i përgjigjem: "Nuk dua të shkoj asgjëkund, as në Amerikë, as askund".

Pas kësaj Nikollai Bistrov për shumë vite ka shërbyer si truproje personale e Ahmad Shah Masood. Pa kontroll paraprak trupor ai nuk linte askënd që të kontaktonte me të: as gazetarët, as zyrtarët dhe madje as shokët e miqtë e Masood-t. Më vonë ai u martua me një kushërirë të largët të shefit të tij. Tani çifti ka dy djem dhe një vajzë, me të cilët jetojnë në Rusi. Në tokën amtare Nikollai Bistrov u kthye pas njëmbëdhjetë vjetësh. Por atdheun e vet gjatë kësaj kohe ai nuk e ka harruar. Dhe kurrë "nuk ka luftuar kundër të vetëve", kurse Ahmad Shah Masood-in e mbrojti në situatën e grindjeve dhe konflikteve të brendshme të mprehta afgane.

Në Rusi Nikollai Bistrov bashkëpunon me Komitetin për çështjet e ushtarëve-internacionalistë. Pothuajse çdo vit ai kalon disa muaj në Afganistan. Atje ata kërkojnë varret e ushtarëve sovjetikë të zhdukur dhe kthejnë mbetjet e tyre mortore në atdhe:

- Unë dua t’i gjej të gjithë. Dhe eshtrat dëshiroj t’ua kthej prindërve të tyre. Për të qetësuar shpirtin e prindërve që djali u kthye, edhe pse jo i gjallë, por të paktën mund ta varrosin. Unë i kuptoj për mrekulli afganët, njoh mentalitetin, doket dhe zakonet e tyre. Për sa kohë që ata bashkëpunojnë me mua, unë do të vazhdoj ta kryej këtë detyrë që kam shtruar para vetes. Ju e dini, derisa nuk është varrosur ushtari i fundit, lufta nuk ka mbaruar. Kurse unë këtë luftë dua ta përfundoj.

Edhe një çerek shekulli pas mbarimit të luftës vazhdon kërkimi i ushtarëve të zhdukur pa lënë gjurmë. Nikollai Bistrov dhe ata, me të cilët ai punon, janë mëse të bindur se është e domosdoshme të rivendoset fati i secilit prej të zhdukurve në Afganistan.