Ushtari i fundit sovjetik e la Afganistanin më 15 shkurt të vitit 1989. E udhëhoqi tërheqjen e trupave sovjetike prej andej Gjeneral Lejtnanti legjendar Boris Gromov. Pikërisht përvojën e tij po përpiqen të përdorin tani amerikanët, para të cilëve shtrohet detyra e përfundimit të okupacionit shumë-vjeçar të Afganistanit. Ja se çfarë thotë në lidhje me këtë analisti politik rus Nikita Mendkoviç:

- Problemi kryesor i çdo operacioni të tillë është siguria. Një masë jashtëzakonisht e madhe e trupave dhe teknikës ushtarake lëviz nëpër rrugë. Lind nevoja për ta siguruar atë nga sulmet e mundshme, të shtënat dhe pritat. Kjo detyrë mund të zgjidhet në mënyra të ndryshme, ndër të tjera edhe duke përforcuar kontingjentet vendore që do të mbeten në vend pas largimit të trupave. Ato do të mund të mbulojnë tërheqjen e forcave kryesore.

Para trupave sovjetike në Afganistan qëndronin dy objektiva kryesore. Në radhë të parë - dhënia e ndihmës autoriteteve të Afganistanit në rregullimin e situatës së brendshme politike. Në radhë të dytë - parandalimin i agresionit nga jashtë. Këto objektiva u përmbushën prej tyre plotësisht, thotë Kryeredaktori i revistës "Mbrojtja kombëtare" (russ. "Национальная оборона") Igor Korotçenko:

- Fushata afgane ishte e pashmangshme nga pikëpamja e mbrojtjes së interesave tona kombëtare. Ne nuk ishim okupatorë, ne kemi ngritur nga themelet një Afganistan të ri. Ne jemi marrë atje me ndërtimin e tuneleve, me sigurimin e funksionimit të sistemeve të furnizimit me ujë, kemi mbjellë pemë, kemi ndërtuar shkolla dhe spitale, krijuam industrinë e këtij vendi. Kjo ishte një vepër e vërtetë heroike.

Ne e lamë Naxhibullahun me një ushtri të fortë afgane. Një vit apo një vit e gjysmë ai ka kontrolluar me sukses situatën brenda kufijve të vendit të vet. Dhe vetëm ndërprerja e mbështetjes logjistike nga ana e Bashkimit Sovjetik çoi në rënien e regjimit të Naxhibullahut. Regjimi i sotëm i Presidentit Hamid Karzai nuk është jetëgjatë. Dhe nuk ka gjasa që SHBA-ja të tërhiqet nga Afganistani me kokën lart, ashtu siç u larguan trupat tona prej andej.

Megjithatë, në lidhje me faktin se afganët, të gjithë pa përjashtim, i gëzoheshin pranisë së ushtarëve sovjetikë në vend ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Ja se çfarë thotë Kryetari i Qendrës Unike Afgane në Shën Petersburg, Naeem Gol Mohammad:

- Ekzistojnë traditat, mentaliteti dhe kultura e popullit afgan. Fiset luftëtare etnike Pashtun nuk i janë nënshtruar kurrë askujt. Trupat e huaja janë perceptuar gjithmonë si e keqe e madhe për vendin. Popullata lokale u ngrit në revoltë kundër trupave sovjetike.

Pjesa më e madhe e ekspertëve është mëse e bindur se fushata afgane e Bashkimit Sovjetik, megjithë anën e saj tragjike dhe pakuptimësisë në dukje, ushtroi një ndikim mjaft serioz në formimin e politikës së jashtme optimale të Rusisë së re. Aktualisht për Moskën është mëse e qartë se metodat e detyrueshme, me përdorimin e forcës, të zgjidhjes së problemeve politike janë krejtësisht pa perspektivë, të pashpresa, se vetëm kompromisi është i aftë për t'i dhënë fund krizës. Të kuptuarit e kësaj Moska kërkon t’ua përcjellë tani lojtarëve të tjerë të mëdhenj në skenën aktuale gjeopolitike.