Është krejtësisht e pamundur të gjenden dy Bobtail-ë të Kurileve me bisht krejtësisht identik, thotë pronarja e qendrës zooteknike Tatiana Llapshenkova:

- Kjo lloj mace e ka bishtin në formë spirale. Ai është i ngjitur me fundin e kurrizit të kafshës, si bisht lepuri. Ndërsa tjetra mund ta ketë bishtin në formë fshese. Por shumë të shpupurisur. Ekzistojnë edhe Bobtail-ë japonez dhe mekong. Këto mace janë më të vogla se ato të Kurileve. Macja e racës sonë është më e madhja.

Tatiana Llapshenkova merret me mbarështimin e Bobtail-ëve të Kurileve për më shumë se 10 vjet, edhe pse para njohjes me këtë racë macesh ajo ishte një njeri tërësisht i apasionuar pas qenve. Meqë ra fjala, këto mace bashkëjetojnë për mrekulli me armiqtë e tyre natyrorë - qentë. Ndoshta për shkak të ngjashmërisë së disa tipareve të karakterit, thotë Tatiana Llapshenkova:

- Bobtail-i i Kurileve i nënshtrohet me lehtësi trajnimit (përgatitjes). Këto lloj macesh kanë me të vërtetë karakter qeni. Ato mund të merren me vete gjithkund. Macet e kësaj race nuk i ndahen për asnjë moment të zotit apo të zonjës, i ndjekin ata pas kudo. Bobtail-ët e Kurileve gjuajnë për mrekulli minjtë e mëdhenj dhe të vegjël.

Macet e kësaj race, që jetojnë në natyrë, janë gjithashtu gjahtare të shkëlqyera. Dhe duhet thënë se gjuajnë ato në tufa. Sipas pohimeve të banorëve të Ishujve Kurile, ka pasur raste kur Bobtail-ët kanë arritur të vënë përfund madje dhe ariun. Përveç kësaj këto lloj macesh janë peshkatare fort të zonja. Është tashmë një fakt i njohur se Bobtail-ët mund të kapin peshq me peshë disa herë më të rëndë se ajo vetiake trupore.

Bobtail-i i Kurileve është një nga racat më të reja të maceve. Por pavarësisht nga kjo, këto mace janë mjaft të popullarizuara në Rusi. Aktualisht nuk kalon asnjë ekspozitë ndërkombëtare pa pjesëmarrjen aktive të Bobtail-ëve të Kurileve me bishtat e tyre karakteristikë - pompon, si të lepurushëve.