Përkatësisht treguesve të përbashkët socio-ekonomike Bosnjë dhe Hercegovina renditet në "treshen më të dobët evropiane", së bashku me Shqipërinë dhe Moldavinë. Deri kohët e fundit elitat pushtetore të Bosnjë e Hercegovinës kanë arritur të ruajnë njëfarë stabiliteti relativ. Por kriza evropiane, papunësia në rritje, korrupsioni dhe aktivizimi i faktorëve të jashtëm e kanë radikalizuar ndjeshëm situatën.

Tani për tani nga protestat masive janë përfshirë kryesisht territoret e Federatës Myslimano-Kroate. Megjithatë ekziston rreziku real i përhapjes së tyre, thotë eksperti Vlade Simović:

- Kriza në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës është plotësisht e aftë të ndikojë në një formë apo në një tjetër në situatën në Republikën Serbe të Bosnjës. Dhe mund të ndodhë kjo pavarësisht nga fakti se Republika Srpska gjatë gjithë këtyre viteve të fundit ka demonstruar një shkallë shumë më të madhe të stabilitetit politik dhe socio-ekonomik se sa pjesa myslimano-kroate në vend.

Që në vitin 2008 Bosnja dhe Hercegovina nënshkroi Marrëveshjen e StabilizimAsocimit me BE-në - një dokument ky i ngjashëm me atë që në nëntor të vitit 2013 iu propozua për nënshkrim Ukrainës nga Brukseli. Si rezultat, në vend po shkatërrohet edhe ajo industri që i mbijetoi luftës së viteve 1992-1995. Aktualisht papunësia atje arrin në 44%, ndërkohë që një ndër pesë banorë jeton nën nivelin e varfërisë. Por Bashkimi Evropian dhe fondet e tij anti-krizë nuk kanë as aftësinë dhe as prirjen për të ndihmuar vendin, i cili nuk rezulton të jetë madje as kandidat zyrtar për anëtarësim në këtë organizatë.

Ndërkohë, diplomati austriak Valentin Inzko në intervistën e vet dhënë gazetës së përditshme vjeneze "Kurier" deklaroi fjalë për fjalë si vijon: "Nëse situata do të vazhdojë të komplikohet, ne mund të mendojmë atëhere për dërgimin e trupave të BE-së në këtë vend. Vërtetë, jo tani menjëherë". Në këtë rast pikërisht Perëndimi, duke përfshirë edhe BE-në, është përgjegjës për zhvillime të tilla të ngjarjeve në rajon, thekson analisti politik rus Boris Shmeljov:

- Duke mbështetur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Perëndimi, në kundërshtim me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, shkeli parimin e integritetit territorial të Serbisë. Me këtë Perëndimi stimuloi në një mënyrë apo një tjetër pikësynimin për vetëvendosje kombëtare në rajone të tjera të Evropës.

Duke pasur parasysh ruajtjen në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe me kalimin e gati dy dekadave pas përfundimit të luftës vëllavrasëse, të mprehtësisë së debateve e kontesteve ndërnacionale, përshkallëzimi i krizës socio-ekonomike në shpërbërje totale të vendit duket mjaft i mundshëm. Dhe, me sa mund të gjykohet nga të gjitha, "riformatimi" (reformatting) i ri i kësaj ish-republike të shumëvuajtur jugosllave nuk është larg.