Mikpritja e Soçit është e pamundur të imagjinohet pa gostitjen bujare. Pjesëmarrësve të Olimpiadës i ofrohet një menu prej 500 gjellësh e gatimesh të ndryshme. Ata mund të hanë falas gjithçka që dëshirojnë 24 orë në ditë. Ndërsa sportdashësit dhe turistët do të jenë të detyruar të paguajnë nga xhepi i vet për ushqimin. Por politika e çmimeve gjatë periudhës së zhvillimit të Olimpiadës rregullohet nga shteti, prandaj çmimi i ushqimit në Soçi është i lirë, mëse i arsyeshëm për të gjithë.

Problemi i vetëm gastronomik i mysafirëve të Olimpiadës - të zgjedhin vetë se çfarë dëshirojnë të hanë, e asgjë më shumë. Në qytet janë hapur restorante me kuzhinë ruse, evropiane, japoneze, kineze, tailandeze, pabe irlandeze, çajhane turke. Pa përmendur këtu lokalet e shumëllojshme të ushqimit të shpejtë (fast food). Por për t’iu përshtatur koloritit vendas duhet shkuar patjetër në restorantet e kuzhinës kaukaziane.

Relievi malor i këtyre trevave ka ndikuar në recetat e kuzhinës kaukaziane. Në të dominon mishi i qengjit (deles), djathi i bardhë dhe produktet e qumështit. Gatimet janë të shumëllojshme, ato reflektojnë traditat e larmishme të popujve të shumtë të Kaukazit. Sa më lart të vendosur në male, aq më e thjeshtë është kuzhina e popujve kaukazianë. Dhe në të kundërt, sa më ulët jetojnë ata, aq më e komplikuar është ajo. Supat kaukaziane, si rregull, janë tepër të yndyrshme, mjaft ushqyese dhe me shumë mish.

Është e pamundur të provohen me një të shkuar në restorant të gjitha gatimet e shijshme të kuzhinës kaukaziane, domethënë gjellët kryesore, shishqebapi (barbecue), pa të cilin nuk mund të imagjinohet kurrsesi Soçi dhe i gjithë Kaukazi. Ky është një gatim (pjatë) i lashtë, fort i preferuar i luftëtarëve malësorëve gjatë fushatave të tyre luftarake. Ai mund të gatuhet fare lehtë edhe në kushte fushore. Gjithçka që nevojitet për përgatitjen e tij - vetë mishi dhe prushi. Ndërsa rekomandohet ngrënia e shishqebapit e shoqëruar me një verë të mirë gjeorgjiane.

Ushqime sipas preferencave të veta do të gjejnë në Soçi edhe preferuesit e mishit apo peshkut, edhe vegjetarianët, edhe personat që kanë qejf gatimet me shije djegëse, edhe adhuruesit e kulaçëve dhe ëmbëlsirave. Me sa duket, pikërisht për këtë arsye gatimet e kuzhinës kaukaziane i kanë ardhur kaq shumë për mide rusëve dhe kanë gjetur një përhapje të gjerë në mbarë vendin. Duhet thënë se edhe të huajt i vlerësojnë me meritë gatimet e malësorëve të Kaukazit.

Sipas traditës kuzhinierët e shtetit, që pret në vend Lojrat Olimpike, janë përgatitur për këtë evenimet të madh me një zell jo më pakët se vetë sportistët. Sipas vlerësimeve më modeste, gjatë kohës së zhvillimit të Olimpiadës do të konsumohen rreth 7.000 ton produkte ushqimore.