Në Soçi po vazhdojnë të mbërrijnë kryetarët e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Siç pritet, në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës më 7 shkurt do të jenë të pranishëm liderët e 44 vendeve.

Të enjten në kryeqytetin e Lojrave Olimpike Dimërore mbërriti Kryetari i RPK-së, Xi Jinping. Mysafiri i nderuar u prit nga Vladimir Putin në rezidencën e tij të punës. Bisedimet mes tyre u zhvilluan në një atmosferë shumë miqësore, Presidenti rus e uroi Xi Jinping me rastin e Vitin e Ri sipas kalendarit hënor:

- Ju erdhët tek ne në një kohë kur në Kinë festojnë Vitin e Ri. Ndërsa kjo është tradicionalisht një festë familjare. Në këtë kohë, zakonisht, njerëzit shkojnë tek të afërmit apo miqtë më të ngushtë për ta. Le të mendojmë që kështu është në të vërtetë, se Ju erdhët tek miqtë Tuaj më të ngushtë.

Të dy udhëheqësit diskutuan bashkëpunimin e ndërsjelltë ekonomik. Kina renditet e para në listën e partnerëve të tregtisë së jashtme të Rusisë, vuri në dukje Presidenti rus:

- Përsa i përket marrëdhënieve tona dypalëshe, ato, duhet thënë, kanë marrë trajektore ngjitëse. Pavarësisht nga fakti se edhe kështu gjithçka shkon mbarë e mirë mes vendeve tona, zhvillimi është megjithatë evident dhe i qenësishëm. Qarkullimi ynë tregtar ka arritur deri në 87 miliardë $, dhe ne tashmë, ashtu siç patëm planifikuar, po i afrohemi 100 miliardë dollarëve në këtë qarkullim.

Po zhvillohen edhe kontaktet politike. Këtë vit është planifikuar mbajtja e pesë samiteve, theksoi Presidenti i Rusisë. Ai veçoi gjithashtu bashkëpunimin e organeve të sigurisë dhe ushtarakëve të dy vendeve.

Një shembull i spikatur i bashkëveprimit ruso-kinez në çështjet ndërkombëtare u bë pjesëmarrja e dy vendeve në transportimin e armëve kimike jashtë kufijve të Sirisë për shkatërrimin e tyre të mëpastajshëm. Ky operacion po realizohet nga kryqëzori i rëndë raketor bërthamor rus "Pjetri i Madh" dhe anija kineze e patrullimit "Yancheng", vuri në dukje Vladimir Putin:

- Rusia dhe Kina janë duke dhënë tani një kontribut të qenësishëm edhe në zhvillimin botëror, edhe në garantimin e sigurisë ndërkombëtare.

Kryetari i Republikës Popullore të Kinës (RPK) Xi Jinping, nga ana e vet, ka pranuar se, duke ardhur në Soçi, ai ka përfituar një "festë të dyfishtë" - festën e pranverës dhe Lojrat Olimpike. Sipas mendimit të Xi Jinping, Lojrat Dimërore në Soçi simbolizojnë avancimin e Rusisë përpara. "Lojrat Olimpike janë një nga evenimentet më të rëndësishme në shkallë globale. Unë jam mëse i bindur se ato do të mbahen në nivelin më të lartë", - shtoi Lideri kinez.