Të fusësh në grindje qytetarët rusish-folës dhe ukrainisht-folës të Ukrainës - është një detyrë vërtetë e vështirë, por, siç treguan ngjarjet e dhjetë vjetëve të fundit, plotësisht e realizueshme. Një kontribut të madh në këtë çështje kanë dhënë "autoritetet pushtetore portokalli" të Viktor Jushçenko e Julia Timoshenko, si dhe favorizimi, tolerimi i nacionalistëve nga ana e Presidentit aktual Viktor Janukoviç. Deklarata e kohëve të fundit, në lidhje me praninë e ekstremistëve në vend, e Janukoviç-it (Yanukovych) është e vonuar si minimum me disa vjet. Sepse në fund të fundit të rinjtë, të cilët hedhin tani mbi efektivët e policisë "kokteje Molotov" dhe që kanë uzurpuar Kievin nën parullat naziste, nuk janë formuar në një ditë. Ata janë arsimuar dhe edukuar në shkolla e universitete - dhe tani është plotësisht e qartë se përse opozita i ka bërë një rezistencë kaq të egër, të dhunshme reformave të Ministrit të Arsimit Dimitri Tabaçnik (Dmitry Tabachnik). Përpjekjet e tij për të rikthyer në shkollat ukrainase veprat e letërsisë klasike ruse mund të pengonin formimin e atyre që sot po luftojnë në rrugë nën sloganin "Ukraina mbi të gjitha" (russ. "Украина превыше всего"). Duam t’ju kujtojmë se edhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditët e debateve të nxehta të vitit të kaluar mbi ligjin e gjuhës dhe arsimin mbajtën anën e nacionalistëve ukrainas. Në këtë mënyrë në Ukrainë, ku për shumë vite vazhdon të ruhet një paqe etnike relative, me mbylljen e syve nga ana e autoriteteve gjithë këto kohët e fundit po ngulet një pykë e fuqishme.

Aktualisht nacionalistët synojnë të marrin plotësisht në duart e veta pushtetin - në të gjithë Ukrainën. Ata nuk janë të kënaqur me Kabinetin e Ministrave apo madje dhe me presidencën - atyre u duhet marrja nën kontroll e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Për hir të arritjes së këtij qëllimi bëhen edhe thirrjet për zgjedhje të reja, edhe përpjekjet për të rikthyer Kushtetutën e vitit 2004, falë së cilës nacionalistët shpresojnë të kufizojnë plotfuqishmëritë e Presidentit Viktor Janukoviç. Por pikërisht këtu dhe qëndron yçkla: Ukraina është një shtet unitar, ku pothuajse çdo gjë vendoset nga zyrtarët në Kiev. Dhe në qoftë se pushtetin në Kiev do ta marrin tërësisht në duart e veta nacionalistët etnikë, atëhere nga vendi do të dëshirojë të largohet e gjithë lindja rusisht-folëse e Ukrainës.

Në vitin 2005, kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i siguruan me përdorimin e të gjitha marifeteve të mundshme fitoren Viktor Jushçenko-s në zgjedhjet presidenciale, Partia e Rajoneve kishte filluar tashmë ndërmarrjen e përpjekjeve për "autonomizimin" e rajoneve lindore. Atëhere kjo punë nuk shkoi larg: elita e Ukrainës, dhe para së gjithash oligarkët ukrainas, ranë në ujdi për ndarjen e pushtetit dhe kapitaleve. Nëse do të arrihet po e njëjtën gjë edhe tani - kjo është një pikëpyetje e madhe.

Duke përmbledhur gjithë sa parashtruam më sipër mund të themi kështu: Në momentet aktuale forcat centrifugale në shoqërinë ukrainase janë ende mjaft të forta. Edhe perëndimi, edhe lindja e kuptojnë për mrekulli se në rast të ndarjes së vendit lindja do të bjerë menjëherë nën veprimin e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së, ndërsa perëndimi i Ukrainës thjesht nuk do të mund të mbijetojë dot pa subvencionet lindore.