Diplomatët perëndimorë po vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin me opozitën ukrainase. Pas takimit të diplomatëve amerikanë dhe evropianë në margjinat e Konferencës së Sigurisë të Mynihut, mediat raportuan se Perëndimi është i gatshëm t’i japë ndihmë financiare Ukrainës. Por mbi hapat realë të tij në këtë drejtim është ende e vështirë të gjykohet, komentoi analisti politik Vladimir Shtol:

- Nga premtimet deri tek implementimi i tyre - është një rrugë mjaft e gjatë. Dhe nuk është aspak fakt i kryer që këto premtime do të përmbushen. Në situatën e tanishme tejet të komplikuar - kjo është më tepër një manovër propagandistike që ka për qëllim dhënien e të paktën të një mbështetje suplementare morale "EuroMajdanit". Por është e vështirë të përsiatet në lidhje me ndihmën konkrete, meqenëse për këtë tani për tani nuk ka kurrfarë premisash reale.

Që para mbajtjes së Konferencës së Sigurisë të Mynihut Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të ruajë marrëveshjen me Ukrainën për uljen e çmimeve të gazit dhe dhënien e kredive asaj, edhe nëse atje në pushtet do të vijë opozita. "Kjo është e lidhur me domosdoshmërinë dhe dëshirën për të mbështetur jo ndonjë qeveri konkrete, por popullin ukrainas", - tha Vladimir Putin.

Është mjaft simbolik fakti se opozita ukrainase i kërkon Perëndimit 15 miliardë $. Pikërisht një shumë të tillë ka ndërmend të investojë Rusia në letrat me vlerë të Ukrainës. Për këtë Vladimir Putin dhe Viktor Janukoviç ranë dakord në Moskë në takimin e tyre të 17 dhjetorit. Dhe, duhet thënë, se një përkim i tillë nuk është aspak i rastësishëm, mendon Këshilltari i Akademisë së Shkencave të Rusisë, Vilen Ivanov:

- Ndihma e Perëndimit nuk duhet të jetë kurrsesi më e vogël se ndihma aktuale që vjen nga Rusia. Ndoshta, pikërisht me një logjikë të tillë veprimi dhe kushtëzohet sasia e përcaktuar e miliardave.

Ndërkohë, problemet financiare në vetë Evropë nuk janë zgjidhur përfundimisht. Kështu, Greqia ka ende nevojë për mbështetje financiare. Borxhin, i cili ka arritur tashmë në miliarda euro, grekët premtojnë ta lajnë vetëm aty nga viti 2016. Në një situatë mjaft të vështirë vazhdojnë të mbeten vende të tilla si Spanja dhe Portugalia. Dhe ndërsa "trojka" e kreditorëve po përpiqet t’i bëjë ballë valës së furishme të kritikave në adresë të vet, politikëbërësit evropianë janë vënë në kërkim të 15 miliardë dollarë suplementarë për Ukrainën.