Duhet t’i jepet haku kryeministrave të Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke: në deklaratën e përbashkët, të miratuar prej tyre në mbrëmjen e 29 janarit, theksohet domosdoshmëria e zgjidhjes së konfliktit të brendshëm ukrainas me metoda paqësore.

Nëse do të shikojmë raportin e forcave në këtë organizatë, në lidhje me problemin e Ukrainës, nuk lind më aspak nevoja për të njohur heterogjenitetin e saj. Në njërin krah janë pozicionuar Hungaria dhe Polonia, të cilat nuk e fshehin interesin e tyre të veçantë për mënyrën se si do të zhvillohet më tej situata në Ukrainë. Kryeministri hungarez Viktor Orban qëndron në zanafillën e programit ambicioz, të destinuar për krijimin në Evropën Juglindore dhe Qendrore të hapësirës së përbashkët kulturoro-kombëtare hungareze me "pasaportat e veta etnike", programet kulturore dhe flukset financiare. Dhe një nga zonat e realizimit të këtij programi është rajoni i Trans-Karpateve i Ukrainës, në të cilin më shumë se 10% të popullsisë e përbëjnë hungarezët.

Ndërsa për Poloninë situata në Ukrainë është edhe më e qartë. Pikërisht Varshava u bë iniciatore e vënies në jetë të programit të BE-së "Partneriteti Lindor", që parashikon "distancimin" e Ukrainës nga tregjet dhe projektet ruse, ingranimin e përshpejtuar të saj në procesin e integrimit evropian pa dhënien asaj të statusit të vendit kandidat formal. Dhe është ky program që u vu nën rrezik nga Presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç me refuzimin e tij për të nënshkruar në nëntor të vitit 2013 në Vilnius Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe krijimit të zonës së tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian.

Sa për Republikën Çeke dhe Sllovakinë, interesi i tyre ndaj asaj që po ndodh aktualisht në Ukrainë dhe rreth saj është më tepër i një natyre "akademike". Meqë ra fjala, në Bratisllavë po ndjekin të alarmuar ndërveprimin aktiv të Qeverisë së Hungarisë me diasporën hungareze - një pjesë e së cilës jeton në Sllovaki.

Tani po i afrohemi pjesës më interesante - pikësynimit të BE-së për t’i përdorur ngjarjet në Ukrainë me qëllim të "lidhjes" së këtij vendi me projektet e veta të energjisë në dëm të Rusisë.

Politikani i njohur francez Thierry Mariani i shpjegoi një herë "konfliktet e gazit" midis Ukrainës dhe Rusisë me një arsye të vetme: mosdëshirën, refuzimin e Ukrainës për t’i paguar Rusisë borxhet e saj dhe truket (marifetet) e Kievit për t’iu shmangur plotësimit të detyrimeve të veta të parashikuara në kontratat e lidhura. Ukraina u përpoq të ushtrojë presion mbi Evropën për ta bërë atë një armë të vetën në kontestin e saj financiar me koncernin rus "Gazprom".

Kurse tani është Bashkimi Evropian ai që po përpiqet të përdorë konfliktin e brendshëm në këtë vend në lojrat e veta energjetike. Ndërsa në këto lojëra vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u është caktuar tradicionalisht roli i palakmueshëm i pengjeve të projekteve të diskutueshme (të dyshimta) dhe basteve të rrezikshme gjeopolitike. Nga kjo rezulton se nuk është aspak në interes të Grupit të Vishegradit ta lërë veten të tërhiqet si manar në lojëra të tilla të Brukselit.