Negociatat e Presidentit rus Vladimir Putin me Kryetarin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe Presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso u mbajtën me dyer të mbyllura. Megjithatë, në konferencën përfundimtare për shtyp ata kanë hedhur dritë mbi temat e diskutuara prej tyre. Doli se fjalë në këto negociata u bë gjithashtu edhe për Ukrainën, madje në mënyrë mjaft të detajuar.

Rezultatet e samitit të fundit të "Partneritetit Lindor" në Vilnius, në të cilin Ukraina nuk nënshkroi marrëveshjen për anëtarësim të lidhur në BE-në, kanë ndikuar në formatin e negociatave aktuale. Brukselit, në mënyrë krejtësisht evidente, nuk i erdhi aspak për mide zgjedhja e Ukrainës në favor të zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë.

Zyrtarët e lartë evropianë deklaruan mbi përgjegjësinë e Kievit zyrtar për zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, duke harruar të përmendin gjatë kësaj ata, të cilët në forma të ndryshme shfrytëzuan për arritjen e pikësynimeve të veta protestat e "Euromajdanit". Dhe, para së gjithash, forcat ekstremiste dhe nacionaliste. E megjithatë, Kryetarët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian deklaruan vendosmërinë e tyre për të vazhduar edhe më tej praktikën e ndikimit sa më aktiv në situatën në Ukrainë.

Kurse Rusia i shmanget me të gjitha mënyrat presionit kaq të hapur mbi shtetin e pavarur. Vladimir Putin deklaroi se të ardhmen e vendit ka të drejtë ta përcaktojë vetëm populli ukrainas.

Me propozimin e palës evropiane u vendos të reduktohet programi i samitit dhe të përqendrohet vemendja kryesore në çështjet strategjike. Ndërsa ato janë fort mirë të njohura tashmë: tregtia reciproke, energjetika, proceset integruese në Evropë dhe në hapësirën Euroaziatike. Vladimir Putin kujtoi se BE-ja është një ndër partnerët kryesorë tregtarë dhe ekonomikë të Rusisë. Qarkullimi tregtarmidis tyre matet tani në qindra miliarda dollarë, investime reciproke - në dhjetëra miliarda $. Ja se si e komentoi Presidenti rus axhendën e integrimit:

- Është e nevojshme të shtrohen për zgjidhje detyra më ambicioze. Një prej tyre - ndërlidhja, gërshetimi i procesit të integrimit europian dhe euro-aziatik. Unë jam mëse i bindur se midis tyre nuk ka asnjë kontradiktë. Ata mund të plotësojnë në mënyrë mjaft efektive njëri-tjetrin. Ne shkëmbyem mendime edhe në lidhje me "Partneritetin Lindor". Ne jemi të interesuar në stabilitetin dhe prosperitetin e shteteve që janë fqinjët tanë të përbashkët. Këto vende kanë tendencë që të bashkëpunojnë në mënyrë më aktive me BE-në, por njëkohësisht duan të ruajnë edhe lidhjet e tyre tradicionale. Kjo sigurisht duhet stimuluar, inkurajuar, kurse krijimi i linjave të reja ndarëse është krejtësisht i papranueshëm. Ne kemi propozuar krijimin e zonës së tregtisë së lirë midis BE-së dhe Bashkimit Doganor.

Putin shtoi se u zhvillua një bisedë mjaft e interesuar rreth sigurisë së përbashkët dhe falenderoi kolegët e tij për punën e përbashkët për garantimin saj në Soçi gjatë zhvillimit të Olimpiadës. U fol gjithashtu rreth situatës në Siri, Iran dhe Afganistan në lidhje me largimin prej andej të ushtarakëve amerikanë. Udhëheqësi rus deklaroi se ai shpreson të arrijë në marrëveshje me BE-në për Paketën e Tretë të Energjisë, e cila mund të bëhet pengesë për ndërtimin e tubacionit të gazit "South Stream" ("Rryma Jugore").

Në bazë të përfundimeve të samitit të tanishëm u miratua i vetmi dokument i përbashkët - deklarata për luftën kundër terrorizmit. Diskutimit të traktatit të ri bazë midis Rusisë dhe BE-së palët premtuan t’i rikthehen në verë, në samitin e ardhshëm që do të mbahet në Soçi.