Të dhënat mbi numrin e të vdekurve dhe të lënduarve janë kontradiktore. Të mërkurën u raportua mbi pesë vdekur, por tani për tani është konfirmuar vdekja vetëm e dy personave. Njerëzit me lëndime të shkallëve të ndryshme dërgohen në spitalet e kryeqytetit ukrainas. Ka shumë të plagosur midis gazetarëve që ndriçojnë ngjarjet në Kiev, si ukrainas, ashtu dhe të huaj, duke përfshirë edhe rusë.

Të enjten palët po vazhdojnë të shkëmbejnë goditje. Radikalet e rinj janë barrikaduar prej luftëtarëve të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme me një mur ndarës zjarri, të përbërë nga pirgje të gomave të makinave që flakërojnë dhe ngrenë shtëllunga të zeza tymi toksik. Ata hedhin në drejtim të kordoneve policore kokteje Molotov, gurë, petarde dhe fishekzjarre. Efektivët e policisë u kundërpërgjigjen atyre me plumba plastikë. E gjithë kjo katraurë po ndodh në afërsi të rrezikshme të Muzeut Kombëtar të Artit të Ukrainës dhe Bibliotekës Parlamentare, në të cilën ruhen koleksione unikale të veprave të artit dhe fondet e librave të rrallë.

Në Rusi dhe vendet e Evropës, si dhe në Shtetet e Bashkuara, janë tejet të shqetësuar për atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë. Sekretari i shtypit i Presidentit rus Vladimir Putin, Dimitri Peskov, shprehu besimin se Ukraina do të jetë në gjendje për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar. Pala ruse e konsideron të papranueshme ndërhyrjen nga jashtë në punët e brendshme të Ukrainës. Komisioni Evropian nuk përjashton prishjen e marrëdhënieve me Ukrainën, nëse konfirmohet supozimi se efektivët e policisë kanë përdorur armët e zjarrit kundër protestuesve në Kiev.

Disa media në Ukrainë pohojnë me bindje se autoritetet janë duke u përgatitur për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Përfaqësuesit e administratës ukrainase i përgënjeshtrojnë këto konfirmime.