Në vitin 1992, kur shpërtheu lufta civile, komuniteti hebre, i djegur tashmë nga përvoja e hidhur, filloi të largohet në masë nga qyteti. Nga prilli i vitit 1992 e deri në mars 1994 Sarajevën e braktisën në mënyrë të detyruar 1000 hebrenj sefardikë. Një pjesë e fondit të strehimit të komunitetit hebraik iu dorëzua refugjatëve të ardhur atje nga rajone të tjera të vendit. Natyrisht, pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, disa hebrenj kërkuan për të rimarrë mbrapsh shtëpitë e veta.

Por asnjë nga "sarajevasit e rinj" as që kishte ndërmend fare të largohej prej kryeqytetit. 146 apartamente ashtu dhe mbetën në përdorim të qytetit dhe nuk mundën të rimerreshin dot më nga pronarët e vërtetë. Dhe nëse do të merret parasysh fakti se çdo metër katror në Sarajevë kishte një vlerë të paçmuar, atëhere mund të imagjinohet fare lehtë se sa para janë fituar me pronën e huaj atje.

Njëra prej viktimave - gruaja e moshuar hebreje Viola Janekoviç - u evakuua nga qyteti i saj i lindjes në vitin 1992. Pas arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit ajo vendosi të kthehet në Sarajevë duke shpresuar që të kalonte vitet e pleqërisë dhe të priste vdekjen në shtëpinë e vet. Por pronarët e rinj, të cilët, natyrisht, për një shumë të madhe të hollash i strehuan në mënyrë të paligjshme në banesën e saj, as që kishin ndërmend t’ia lironin Viola Janekoviç apartamentin.

Shembuj të tillë tashmë që në ditët e para të "paqes" numëroheshin disa qindra. Nuk përjashtohet mundësia, se në qoftë se ligji do të garantonte në ndonjë farë mënyre kthimin e pronës dhe do të ofronte mundësi për sigurimin e së ardhmes, shumë do të ishin kthyer përsëri në atdheun e vet. Ndërsa në kushtet e krijuara realisht njerëzit nuk dinin se si të jetonin më tej. Në këto rrethana, sapo u jepej mundësia, hebrenjtë e dëshpëruar i shisnin shtëpitë e tyre.

Pas përfundimit të veprimeve luftarake në vend ekzistonte shpresa se ​​jeta do të përmirësohej duke hyrë gradualisht në brazdën e normalizimit. Por Alia Izetbegoviç (Alija Izetbegović) nuk u dha asaj kohe kurrfarë garancish hebrenjve sefardikë. Ata nuk ndiheshin të sigurt atje. Shumë prej tyre thonin: "Lavdi Zotit, aeroplanët fluturojnë dhe në çdo kohë mund të tentosh për të provuar fatin tënd jashtë shtetit, mundësisht në Izrael".

Hebrenjtë sefardikë e kanë ditur gjithmonë se komuniteti hebre në botë nuk do t’i lërë kurrë ata në baltë. Shumë më e vështirë ishte gjendja me serbët e Sarajevës, të cilët gjatë të gjitha viteve të konfrontimit jo vetëm që janë dëbuar me mijëra prej andej, por edhe pas vendosjes së paqes thjesht nuk deshën t’i linin të ktheheshin atje mbrapsh.

Në qoftë se deri në vitin 1991 popullata serbe e kryeqytetit të Bosnjës dhe Hercegovinës Socialiste përbënte më tepër se 150.000 banorë, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Dejtonit në qytet mbetën më pak se 20.000 serbë. Demokratët e Sarajevës dhe partia e Alia Izetbetoviç bënin gjithçka të mundur me qëllim që qyteti dikur kozmopolit të shndërrohej në qendrën kryesore islamike të Ballkanit. Për tolerancën dhe dashurinë ndaj kombeve të tjera përbërëse, të cilët gjatë kohës së drejtimit të Titos ishin hallka ndërlidhëse, çimentues të RSFJ-së, këtu preferonin të mos kujtonin më.