Prandaj ideja e mbajtjes së konferencës së paqes "Gjeneva-2" pa Iranin duket e çuditshme. Për këtë në konferencën e madhe për shtyp të mbajtur sot në Moskë deklaroi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Udhëheqësit e opozitës ukrainase janë duke humbur kontrollin mbi protestuesit. Kurse këta të fundit, nga ana e vet, po sillen në mënyrë gjithnjë e më agresive. Dhe Rusinë kjo nuk mund të mos e shqetësojë. Moska është e interesuar në atë që situata në Ukrainë të kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur në brazdë normale. Në këto kushte veprimet e disa politikanëve të veçantë perëndimorë duken krejtësisht të papërgjegjshme dhe të pahijshme, shprehet me bindje Sergei Lavrov:

- Jemi mëse të bindur se problemet e brendshme të çdo shteti, duke përfshirë edhe Ukrainën, duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, në fushën ligjore kushtetuese. Dhe pa ndërhyrje nga jashtë. Unë nuk e di se kush dhe për çfarë na fajëson ne dhe mban qëndrim në Bashkimin Evropian në lidhje me ngjarjet në Ukrainë. Por ne do të preferonim që disa nga kolegët tanë evropianë të mos silleshin fare pa ceremoni, në mënyrë të tillë kaq të vrazhdë në lidhje me krizën ukrainase, kur pa kurrfarë ftese anëtarët e disa qeverive evropiane u turrën me yrysh të madh në Majdan (Sheshi i Pavarësisë në Kiev), u përfshinë në demonstratat anti-qeveritare në vendin me të cilin ata kanë marrëdhënie diplomatike. Kjo është thjesht sjellje e pahijshme. Dhe pikërisht këto veprime, meqë ra fjala, po e ndezin më keq situatën në Ukrainë.

Konflikti sirian, i cili po vazhdon tashmë për të tretin vit me radhë, u bë edhe një tjetër temë e nxehtë ndërkombëtare që preku në konferencën e vet për shtyp në Moskë Ministri i Jashtëm rus. Të mërkurën, më 22 janar, duhet të mbahet konferenca e paqes "Gjeneva-2". Sipas fjalëve të Sergei Lavrov, një nga temat kryesore të këtij takimi do të bëhet neutralizimi i grupeve terroriste të cilat luftojnë aktualisht në Siri. Në radhë të parë ato grupe që janë të lidhura me "Al-Qaeda". Një rol të rëndësishëm në konferencën e pritshme duhet të luante Irani, por, siç u bë e ditur, Ban Ki-moon ka tërhequr ftesën për përfaqësuesit e tij. Sipas mendimit të Sergei Lavrov, ky vendim ishte një gabim:

- Fjalë bëhet për një aktivitet një-ditor, për pjesëmarrje në të cilin janë ftuar rreth 40 ministra të jashtëm të shteteve të ndryshme. Duke përfshirë edhe të vendeve të rajoneve të largëta: Amerikës Latine, Azisë Lindore. Dhe, sigurisht, pavarësisht nga natyra ceremoniale e kësaj ngjarje, mungesa e Iranit në listën prej 40 vendeve nuk mund të mos shkaktojë pikëpyetje. Për më tepër se në të gjitha fazat e punës sonë të përbashkët me amerikanët, John Kerry, po ashtu si edhe ne, si dhe shumë të tjerë, ka pranuar madje publikisht se Irani duhet të luajë një rol të rëndësishëm në kërkimin e rrugëzgjidhjeve të krizës siriane.