Deri në momentin e hapjes së konferencës së paqes "Gjeneva-2" për Sirinë kanë mbetur fare pak ditë. Megjithatë, si dhe më parë, dy çështje kyçe mbeten të hapura - njëra e lidhur me përbërjen e delegacionit të opozitës siriane dhe tjetra me pjesëmarrjen e Iranit. Për të ftuar Teheranin në konferencën e paqes këmbëngul Rusia dhe i Dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë Lakhdar Brahimi. Sipas mendimit të Sergei Lavrov, Irani - si një nga lojtarët më të fortë rajonalë - duhet të marrë pjesë patjetër në "Gjeneva-2".

Ftesa, e cila duhet t’i dërgohet të gjitha vendeve pjesëmarrëse në konferencë prej Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, sipas fjalëve të Ministrit të Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif, Teheranit nuk i ka ardhur ende. Në konferencën e vet të paradokohshme për shtyp në Paris Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka kërkuar Iranit të pranojë publikisht rezultatet e konferencës "Gjeneva-1". Ndërkohë Teherani ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se përgjithësisht e mbështet komunikatën e Gjenevës, të miratuar në bazë të rezultateve të saj. Por Uashingtoni këmbëngul për një rideklarim të kësaj nga ana e Teheranit. Përveç kësaj, autoritetet amerikane i bëjnë thirrje Iranit që të rreshtë së mbështeturi lëvizjen "Hezbollah". Sergei Lavrov deklaroi se Rusia nuk e kupton qëndrimin e SHBA-së:

- Se për ç’arsye pikërisht nga Irani kërkohet rikonfirmimi i mbështetjes së komunikatës së Gjenevës, unë nuk e di. Siç tha tashmë zoti Zarif, Irani është shprehur në mënyrë të përsëritur pozitivisht në lidhje me rezultatet e konferencës "Gjeneva-1". Dërgimi i ftesës dhe rënia dakord për ta pranuar atë i përgjigjen plotësisht atyre pyetjeve që i janë adresuar Iranit.

Mohammad Javad Zarif deklaroi se Teherani dëshiron të marrë pjesë në "Gjeneva-2", sepse Irani nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferent ndaj fatit të popullit sirian. Autoritetet e vendit do të dëshironin të jepnin ndihmën e vet në zgjidhjen e krizës në Siri, por gjatë kësaj nuk do të plotësojnë kurrfarë kushtesh suplementare për pjesëmarrën në konferencën e pritshme të paqes. Duke pasur parasysh faktin se në adresë të pjesëmarrësve të tjerë të "Gjeneva-2", të cilët i kanë marrë tashmë ftesat, nuk janë paraqitur ndofarë kërkesash të veçanta.

Ministrat rus dhe iranian nuk kanë lënë gjithashtu jashtë vëmendjes edhe çështjen e dosjes bërthamore të Iranit. Javad Zarif falenderoi Rusinë për ndihmën e dhënë në zgjidhjen e programit bërthamor të vendit të tij, duke shpresuar në mbështetjen e mëtejshme të saj në këtë çështje.

Në prag të bisedimeve dypalëshe midis ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Iranit në Moskë mbërriti Ministri i Jashtëm i Sirisë Walid Muallem. Të premten ai do të zhvillojë bisedime me Sergei Lavrov. Gazetarët kanë presupozuar se kjo do të thotë ekzistenca tashmë e një projekti sekret tripalësh. Por Ministri i Jashtëm rus i zhgënjeu përfaqësuesit e mediave, duke njoftuar se kjo nuk është as komplot dhe as ndonjë nëntekst i fshehtë, thjesht tre vendet ndajnë një qëndrim të përbashkët në lidhje me Sirinë.

Konferenca ndërkombëtare mbi Sirinë "Gjeneva-2"do të hapet më 22 janar. Aktualisht po diskutohen afatet kohore të raundit të parë të bisedimeve midis autoriteteve siriane dhe opozitës. Është supozuar se do të ketë disa raunde. Megjithatë, sipas mendimit të Rusisë, pa pjesëmarrjen e Iranit në të do të jetë shumë më e vështirë për të arritur paqen në Siri.