Këto janë rezultatet kryesore të takimit të Presidentit rus Vladimir Putin dhe Kryeministrit hungarez Viktor Orban, që u mbajt më 14 janar në Moskë.

Centrali i vetëm bërthamor në Hungari "Paks", i ndërtuar tre dekada më parë me ndihmën e specialistëve sovjetikë, sot plotëson pothuajse gjysmën e nevojave të vendit për energji elektrike. Por kapaciteti i centralit bërthamor po bëhet i pamjaftueshëm për kërkesat në rritje. Përveç kësaj elektrostacioni atomik ka nevojë për një ripërtëritje, përmirësim serioz teknik. Deri pak kohë më parë qeveria hungareze kishte planifikuar të shpallte një tender ndërkombëtar për pjesëmarrje në modernizimin e këtij objekti me rëndësi kyçe për vendin dhe ndërtimin e dy reaktorëve suplementarë në të.

Megjithatë, si rezultat u morr vendimi për t’ia dhënë të drejtën për zhvillimin e gjithë kompleksit të punimeve në centralin bërthamor në fjalë Rusisë, si partneres më të besueshme dhe më të leverdisshme, e cila do të garantojë pajtueshmërinë me të gjitha kërkesat e sigurisë dhe standardet më të fundit teknologjike.

Vladimir Putin e vlerësoi mjaft lart dinamikën e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke marrë parasysh faktin se Rusia është një nga partneret më të mëdha tregtare dhe ekonomike të Hungarisë përtej kufijve të BE-së:

- Unë jam tejet i kënaqur nga fakti që kontaktet tona kanë karakter shumë metodik dhe të rregullt. Ne jemi vende partnere në biznes. Marrëdhëniet tona po zhvillohen në mënyrë dinamike në të gjitha drejtimet. Unë kam parasysh në këtë rast edhe sferën e ekonomisë, edhe lidhjet ndër-parlamentare, edhe kontaktet politike. Natyrisht, mjaft pozitiv është vetë fakti që për takimin e tanishëm kolegët tanë përgatitën një paketë solide dokumentesh për nënshkrim, të cilat do të jenë një hap i ri i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona.

Hungaria merr pjesë në projektin e gazsjellësit ndërkombëtar "South Stream" ("Rryma Jugore"), zbatimi i të cilit do të lejojë transportimin e gazit natyror direkt nga territori i Rusisë nëpër fundin e Detit të Zi për në Evropë, duke anashkaluar disa nga vendet e tranzitit. Seksioni hungarez i gazsjellësit do të jetë 229 kilometra i gjatë dhe do të vihet në funksionim në vitin 2017. Viktor Orban konfirmoi se të gjitha detyrimet sipas projektit do të plotësohen në mënyrë rigorore nga vendi i tij.

Orban falenderoi Presidentin e Rusisë për ftesën që i bëri për të ardhur në Moskë dhe rikujtoi se një vit më parë ata tashmë patën mundësinë për të ndërtuar planet e bashkëpunimit për një perspektivë afatgjatë:

- Rusia është një partnere shumë e rëndësishme për Hungarinë. Madje unë mund ta quaj bashkëpunimin tonë ekonomik strategjik. Jashtë kufijve të BE-së Rusia është një nga partneret më të rëndësishme ekonomike dhe tregtare të Hungarisë. Dhe ne vërejmë progres në rrugën tonë. Një vit më parë ne kemi rënë dakord për të intensifikuar lidhjet ekonomike dhe ia arritëm këtij qëllimi. Në sferën e tregtisë progresi ynë ka qenë me të vërtetë i pashembullt. Dhe unë do të dëshiroja t’ju falenderoja për këtë. Unë shpresoj se dokumentet e nënshkruara do të bëhen hapi i radhës.

Kryeministri hungarez i uroi Vladimir Putinit dhe të gjithë rusëve një zhvillim sa më të suksesshëm të Lojrave Olimpike në Soçi si dhe shprehu mirënjohje dhe vlerësim të lartë për përpjekjet e politikës së jashtme të Rusisë.