Rusia është bërë një nga donatoret më të mëdha të Fondacionit polak "Auschwitz-Birkenau" së bashku me vende të tilla si Gjermania, SHBA-ja, Polonia, Franca, Austria, Britania e Madhe, Zvicra dhe Izraeli.

"Auschwitz-Birkenau" apo "Aushvici" - përfshin në vetvete, në fakt, disa kampe përqendrimi. Kompleksi kryesor - "Auschwitz I " - u ndërtua në territorin e Polonisë së pushtuar në vitin 1940. Fillimisht ai ishte i destinuar për mbajtjen në ngujim vetëm të të burgosurve politikë polakë. Por gjashtë muaj më vonë ai u zgjerua në mënyrë të ndjeshme, ndërsa më pas u ndërtua kampi "Auschwitz II" ose "Birkenau". Kurse pas njëfarë kohe u ngrit edhe "Auschwitz III".

Këta ishin ndër kampet nga më të mëdha të vdekjes, të vendosur përgjatë një sipërfaqeje prej pesë kilometrash. Këtu u asgjësuan dhe u masakruan në mënyrë barbare miliona njerëz të kombësive të ndryshme, që flisnin në 18 gjuhë të botës. Për t’i shpëtuar vdekjes së pashmangshme në to ishte pothuajse e pamundur, këtë fat e patën fare pak njerëz. "Unë nuk do të mund t’i harroj dot kurrë, deri sa të jem gjallë, sytë e atyre që liruam nga "Aushvici", - rrëfen pjesëmarrësi i Luftës së Dytë Botërore Ivan Martinushkin. Ai ishte në mesin e ushtarëve që çliruan në janar të vitit 1945 të burgosurit e mbetur të kampit të vdekjes:

- Mbaj mend se ai ishte një takim shumë i shkurtër me të burgosurit. Unë pashë sytë e rënë thellë në zgavrra dhe fytyrat e tyre të nxira. Sytë e tyre shprehnin mirënjohje të pakufijshme për faktin se ne erdhëm dhe i liruam ata. Sytë e tyre na thonin: më në fund mbaroi ai ferr në të cilin u ndodhën, se ata ishin gjallë, se ata mund të fillonin të mendonin se si do të kthehen në shtëpi dhe si të jetojnë më tej.

Pothuajse menjëherë pas luftës, në vitin 1947, në "Aushvic" u krijua një muze i madh. Në territorin e tij sot janë vepruese disa ekspozita të përhershme: polake, frënge, rome (cigane), izraelite dhe, natyrisht, ruse. Ekspozita ruse u hap për herë të parë në vitin 1961, kurse në vitin 2013, pas meremetimit me themel të ndërtesës, ajo u rinovua në mënyrë të qenësishme. Puna për krijimin e saj vazhdoi plot tre vjet, tregon arkitekti dhe piktori kryesor i projektit në fjalë Ivan Minakov:

- Ekspozita tregon për të burgosurit ushtarakë sovjetikë të luftës. Për mënyrën se si u gjendën ata në këtë kamp të vdekjes, se si u provua mbi ta gazi vdekjeprurës. Në ekspozitën ruse një pavijon i tërë i është dedikuar Lëvizjes së Rezistencës. Mu në qendër të kompozimit ne kemi vendosur Sallën e Përkujtimit, ku në një ekran të madh projektohen vazhdimisht emrat dhe mbiemrat e ushtarëve tanë të rënë. Ekziston edhe tema dedikuar hebrenjve, fëmijëve, të cilët kanë qenë në këtë kamp përqëndrimi. Përveç kësaj, atje ka edhe një sallë të vogël konferencash, ku është paraqitur ekspozita e punëve të piktorit Tollkaçov. Ai në vitin 1945, menjëherë pasi Ushtria e Kuqe hyri në "Aushvic", bëri një mori skicash të asaj tablloje rrënqethëse që pa me sytë e vet.

Fondacioni polak "Auschwitz-Birkenau" u themelua nga Qeveria e Polonisë në vitin 2009. Midis anëtarëve të tij figurojnë më shumë se 20 vende të Evropës, Azisë dhe Amerikës Latine. Gjithsej organizata planifikon të mbledhë rreth 120 milionë euro. Të gjitha këto mjete financiare do të përdoren për restaurimin dhe mirëmbajtjen e kompleksit memorial, të përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.