"Zëri i Rusisë" shpjegon me ndihmën e ekspertëve të vet se si të luftohet me këto pasoja të stuhisë gjeomagnetike.

Në ditët e fundit njerëzit janë duke u ankuar gjithnjë e më shpesh se e ndjejnë veten të pafuqishëm, të pushtuar nga gjendja e apatisë, se kanë dhimbje të vazhdueshme koke dhe presionin të ulët të gjakut për shkak të shpërthimeve diellore, të cilat erdhën deri në Tokë në formën e stuhive magnetike. Ndërlidhuria mes aktivitetit diellor dhe gjendjes shëndetësore e shpirtërore të njerëzve meteopatë po studiohet tashmë që prej kohësh prej shkencëtarëve. Biofizikani sovjetik Aleksandër Çizhevskij ka provuar që në shekullin e kaluar varësinë e organizmave tokësorë nga proceset që ndodhin në Diell. Edhe pse shumë mjekë janë të prirur t’i përmbahen mendimit se ndikimi i aktivitetit diellor në gjendjen shëndetësore të njeriut është i ekzagjeruar. Të rinjtë dhe njerëzit e shëndetshëm, në rastin më të keq, duhet t’ia kenë frikën shpërthimeve të nervozizmit, acarimit të theksuar dhe pezmatueshmërisë së rritur. Ndërsa në gjendjen e pacientëve, veçanërisht të atyre me sëmundje të sistemit kardiovaskular, kjo mund të ndikojë në mënyrë më të dukshme, shprehet me bindje të plotë fizikani rus Igor Nikulin:

- Gjatë kohës së stuhive magnetike në organizmin e njeriut ndodh diçka e ngjashme me trashjen e gjakut: rruazat e kuqe të gjakut ngjiten mes tyre duke formuar kolona dhe për këtë arsye ndodh mbyllja, bllokimi i kapilarëve (lat.capillus), enëve më të vogla të gjakut. Kjo është karakteristike për të moshuarit dhe njerëzit e sëmurë. Ata duhet të marrin medoemos ilaçet e rekomanduara nga mjeku dhe të monitorojnë me kujdes shëndetin, pa u shqetësuar gjatë kësaj më tepër se ç’duhet. Është e këshillueshme gjithashtu për këtë kategori njerëzish që të mos dalin në rrugë në ditët e stuhive magnetike.

Dhimbjet e kokës dhe luhatjet e presionit të gjakut mund të jenë të lidhura edhe me ndryshimet e papritura, të theksuara të klimës. Por edhe këto dukuri, si rregull, ndikojnë në gjendjen shëndetësore të atyre personave, që tashmë kanë probleme me shëndetin, dhe kanë çakordim të adaptimit me kushtet mjedisore, thotë Doktori i Shkencave Mjekësore Eugjeni Shirokov:

- Këta janë njerëzit me shifra të larta të presionit të gjakut, para së gjithash hipertonikët, të moshuarit me manifestime evidente të ateriosklerozës. Ndërsa prej të rinjve - ata që vuajnë nga distonia vegjetative-vaskulare. Këtyre personave u fillojnë manifestimet e aritmisë së zemrës, u ndodh kriza hypertensive. Çfarë duhet bërë në raste të tilla? Duhet ruajtur vetja nga stresi i panevojshëm, mbingarkesat emocionale, të mos teprohet me të ngrënën, t’i kushtohet gjumit koha e mjaftueshme për qetësimin e organizmit, të merren me kujdes medikamentet e rekomanduara nga mjeku dhe, ndoshta, për njëfarë kohe të rritet doza e tyre. Ja këto janë rekomandimet për njerëzit meteopatë dhe asgjë më shumë.

Disa ekspertë besojnë se aktiviteti diellor ndikon edhe në gjendjen shëndetësore të njerëzve me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes. Për rivendosjen e gjendjes normale shëndetësore ata do t’i ndihmojë gjimnastika e frymëmarrjes, thotë mjeku terapist Andrei Novozhillov:

- Kur ndodhin frymëmarrje të thella ose hyperventilation, krijohen spazmat e enëve të gjakut, fillojnë oshilacionet e presionit të gjakut, zhvillohet distonia vegjetative-vaskulare. Kurse shpërthimet në Diell thjesht i provokojnë këto fenomene. Ato duhen luftuar me anë të ushtrimit të frymëmarrjes së thellë. Kjo do t’ju lejojë të ndreqni situatën pothuajse pa trajtim medikamentoz.