Në vitin 2006, gjatë presidencës së mëparshme në "Tetëshen e Madhe", Rusia propozoi përqëndrimin e vëmendjes në çështjet e garantimit të sigurisë energjetike, arsimit dhe shëndetësisë, luftës kundër terrorizmit dhe konflikteve rajonale, zhvillimit të sistemit global ekonomik dhe financiar dhe mbrojtjes së mjedisit.

Analisti politik rus Aleksei Martinov beson se një nga çështjet më të rëndësishme për gjithë periudhën e presidencës së Rusisë në "G-8" do të jetë lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar:

- Kjo është çështja kryesore. Në dhjetor në Rusi u përballën sërish me shfaqje të terrorizmit ndërkombëtar. E gjithë bota aktualisht po përballet me këtë problem dhe ai mund të mposhtet vetëm duke dalë në një front të bashkuar kundër tij. Jam mëse i bindur se lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar do të jetë prioriteti më i rëndësishëm gjatë kryesimit të vendit tonë në "Tetëshen e Madhe".

Vladimir Putin menjëherë pas samitit të vitit të kaluar të "G-8" në Irlandën e Veriut deklaroi se udhëheqësit e vendeve, që përfshihen në të, diskutuan promovimin e rritjes globale ekonomike dhe të punësimit, eliminimin e zhbalancimeve që çuan në trazira serioze globale financiare. Fjalë u bë gjithashtu edhe mbi masat e përbashkëta për aktivizimin e tregtisë ndërkombëtare, reduktimin e barrierave proteksioniste dhe luftimin e krimeve tatimore. Diskutimi i këtyre temave u vazhdua në samitin e "G-20" në Shën Petersburg në shtator të vitit 2013.

Nënpresidenti i Qendrës ruse për Komunikime Strategjike Dimitri Abzallov në lidhje me këtë drejtim vëren se të gjitha iniciativat, që Moska pret të parashtrojë në kuadër të presidencës së saj në "G-8", tashmë janë paraqitur prej saj në vitin e kaluar:

- Ndër to mund të përmendim, së pari, stimulimin e punësimit përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe rinovimin teknologjik të prodhimit. Së dyti - nxitjen e rritjes ekonomike. Ky problem është bërë një ndër ata kyçë në sfondin e koniunkturës tejet të komplikuar globale. Çështja e tretë ka të bëjë me reformimin e institucioneve, të cilët janë krijuar më parë dhe që nuk plotësojnë dot më misionin e vet. Fjalë konkretisht bëhet për FMN-në dhe Bankën Botërore.

Moska dhe partnerët e saj të samitit ranë dakord më parë për të zgjeruar përfshirjen e vet dhe pjesëmarrjen e vendeve të zhvilluara në kapitalin e këtyre strukturave të tyre, por në realitet situata ende nuk ka ndryshuar. Është krejtësisht e qartë se kësaj çështjeje pala ruse ka ndërmend t’i rikthehet në samitin e Soçit.

Ekspertët theksojnë se për arritjen e rezultateve konkrete krerët e shteteve të forumit do të duhet të përcaktojnë problemet që preokupojnë të gjitha ose shumicën e vendeve, dhe të ofrojnë zgjidhje reciprokisht të leverdisshme. Rusia ka shanse të mira për këtë. Ajo ka organizuar për mrekulli forume të mëdha ndërkombëtare të APEC dhe "G-20", ka studiuar me vëmendje të përqendruar përvojën e vendeve kryesore të botës në këtë sferë, ka bërë një analizë skrupuloze të problematikës së përbashkët për të gjithë.

Meqë ra fjala, edhe një tjetër detyrë të forumit ardhshëm Presidenti rus Vladimir Putin e formuloi kështu: të provohet se formatet e "Tetëshes së Madhe" dhe "Njëzetëshes së Madhe" plotësojnë njëri-tjetrin dhe se ndarja artificiale - në rastin e parë - në funksion politik, ndërsa në të dytin - në funksion ekonomik - të samitit të parë dhe atij të dytë, tashmë nuk është krejtësisht korrekte.