Kush qëndron pas kësaj serie shpërthimesh në Vollgograd dhe çfarë qëllimesh ndjekin kriminelët?

Sipas njoftimeve të dëshmitarëve okularë, shumë banorë të Vollgogradit tani i shmangen udhëtimeve në transportin publik dhe lëvizin në këmbë nëpër qytet. Njerëzit janë të frikësuar. Siç vuri në dukje eksperti për situata të krizës, veterani i Forcave Speciale ruse "VIMPEL" (russ. "Вымпел") Lev Korolkov, është e pamundur të merret nën kontroll i gjithë sistemi i transportit të qytetit:

- Është krejtësisht e pamundur të merret nën mbrojtje absolute çdo mjet transporti apo vend i grumbullimit masiv të njerëzve. Për ta bërë këtë do të duhet të ndalohen të gjitha: të mos qarkullojë transporti publik, të mbyllen qendrat tregtare, të mos punojnë stacionet e trenit e kështu me radhë. Por kjo është një gjë krejtësisht e pamundur. Sulme të tilla terroriste me rezonancë me një numër të madh viktimash në mesin e popullatës civile kanë për qëllim destabilizimin e situatës.

Qyteti i Vollgogradit tërheq vemendjen e terroristëve pasi është një udhëkryq, nyje e madhe transporti dhe tranziti në jug të Rusisë. Aktet terroriste, të kryera atje, në mënyrë të pashmangshme shkaktojnë rezonancë të gjerë, ndërsa pikërisht ky dhe është qëllimi i kriminelëve, theksojnë ekspertët.

Përkatësisht porositësve të mundshëm të sulmeve terroriste, ekspertët besojnë se këto janë grupet që propagandojnë idetë e Islamit radikal. Pikësynimi, mendimi kryesor për bëma të tilla mund të përcillet nga organizatat terroriste ndërkombëtare me bazë fetare të ngulitura në Lindjen e Mesme, deklaroi në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" analisti politik izraelit Aleks Kogan:

- Pas sulmeve terroriste mund të qëndrojnë ata që insistojnë në shkëputjen territoriale, në përfshirjen maksimale të territoreve të Kaukazit të Veriut nën kontrollin e vet dhe shndërrimin e tyre të mëpastajshëm në tokë pjellore për Kalifatin e ardhshëm. Këto ide kanë patur një rezonancë të fuqishme këto kohët e fundit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin i dha Komitetit Kombëtar për luftën kundër terrorizmit (NAK) një sërë udhëzimesh për rritjen e sigurisë në të gjithë terrritorin e Rusisë dhe veçanërisht në rajonin e Vollgogradit. Presidenti do të marrë personalisht raport të përditshëm nga NAK në lidhje me masat e marra prej tij si dhe raporte të përditësuara operative mbi situatën.

Ndërkohë në qytetin e Vollgogradit janë anuluar të gjitha festimet e Vitit të Ri më 31 dhjetor me pjesëmarrjen e fëmijëve. Nga data 1 deri më 3 janar të vitit 2014 në rajon është shpallur zi tri-ditore.