Rritja e nivelit të euroskepticizmit dhe popullaritetit të pikëpamjeve ultra të dhjathta mund të çojë në krijimin e "Parlamentit më anti-europian" në historinë e Bashkimit Evropian, shprehet me bindje të plotë Kryeministri i Italisë Enrico Letta. Udhëheqësja e Frontit Kombëtar francez Marine Le Pen tashmë u takua në Hagë me Kreun e Partisë holandeze të Lirisë, Geert Wilders. Të dy politikanët duan të formojnë deri në momentin e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian bashkimin e "euroskeptikëve". Me të mund të bashkohen edhe parti të tjera të ekstremit të djathtë evropian.

Më parë Brukseli e vërente aktivitetin e nacionalistëve dhe radikalëve si një lojë fëmijësh. Por në situatën e re që është krijuar zyrtarët evropianë do të jenë të detyruar t’i marrin mjaft seriozisht "të djathtët", mendon eksperti i Institutit rus të Studimeve Ndërkombëtare, Leonid Gusjev:

- Partia më e madhe dhe më autoritative nacionaliste është Fronti Kombëtar në Francë, i cili që tani, në bazë të të gjitha sondazheve të opinionit publik, renditet ndër vendet e para në rejtingun e votimit në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Prania aktive e anëtarëve të saj në Parlamentin Evropian mund të çojë në marrjen e vendimeve shumë interesante në lidhje me çështje aktuale dhe zhvillimin e përgjithshëm të Evropës.

Megjithatë, disa ekspertë besojnë se shkalla e frymës së protestës dhe prirjeve nacionaliste në BE është mbivlerësuar si tepër. Ja mendimi në lidhje me këtë i shkencëtarit politik Aleksandër Tevdoj-Burmuli:

- Edhe kriza ekonomike, edhe sfidat e problemet e migracionit nxisin votimin protestues në vende të ndryshme evropiane. Për shkak të kësaj ne vërejmë edhe rritjen e popullaritetit të radikaleve të krahut të djathtë, edhe të partive me prirje anti-integruese - për shembull, në Britaninë e Madhe. Por, sipas mendimit tim, nuk ia vlen të mbivlerësohet shkalla e kësaj vale dhe perspektivat e mëtutjeshme të saj. Praktika tregon se i gjithë ky votim protestues ka një potencial mjaft të ngushtë në realitet.

Megjithatë, duhet thënë se Bashkimi Evropian po lufton me këto dukuri të krizës tashmë që prej disa vitesh. Në një situatë të tillë zakonisht shtrohet çështja e korrektimit serioz të strategjisë. Disa analistë konfirmojnë se prania "e djathtë" në Parlamentin Evropian duhet të ndryshojë kursin strategjik në drejtim të shtrëngimit. Pas zgjedhjeve mund të priten masa më të vendosura për kapërcimin e problemeve të brendshme: papunësisë, krizës financiare dhe distancimit nga planet populiste për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në drejtim të Lindjes.