Pikërisht parashikime të tilla qarkullojnë tani nëpër hapësirat e Internetit dhe në faqet e mediave. "Ekstrasensët" (personat që zotërojnë një perceptim intuitiv, jashtëshqisor, që rinxjerrin informacione nga burime të padisponueshme për shqisat "normale") dhe "clairvoyants" (parashikuesit e së ardhmes; ital. chiaroveggenti) kanë hyrë në konkurrencë të fortë mes tyre duke ofruar gjithsecili versionet e veta të së ardhmes së afërt. "Profecitë" e tyre së bashku me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" i analizon psikologia ruse Maria Krugllova.

Një nga ngjarjet më të "pritshme" të vitit të ardhshëm është fillimi i Luftës së Tretë Botërore. Ajo, sipas parathënieve, duhet të fillojë gjoja me konfliktin e armatosur në shkallë të gjerë në Iran dhe Siri, në të cilin do të tërhiqet i gjithë komuniteti botëror, ndërsa më pas do të përhapet në të gjitha vendet e Lindjes.

Maria Krugllova është mëse e bindur se "profeci" të tilla janë të destinuara të dështojnë:

- Situata në Lindjen e Mesme është me të vërtetë tejet e paqetë, ndërsa në disa rajone madje fort e tensionuar, dhe duke bërë "profeci" të kësaj natyre parashikuesit e të ardhmes (clairvoyants) praktikisht nuk rrezikojnë me asnjë.

Kriza e zgjatur ekonomike do të vijë duke u intensifikuar në vitin 2014, çka do të çojë si përfundim në një rënie të mprehtë të dollarit si dhe të çmimeve të naftës. Kjo, nga ana e vet, do të ndikojë negativisht në vendet që merren me prodhimin dhe eksportimin e naftës. Aksionet e shumë kompanive të mëdha do të zhvlerësohen, do të reduktohet numri i vendeve të punës. Shumë do ta gjejnë veten në prag të falimentimit. Komenton Maria Krugllova:

- Çdo njeri me të drejtë të plotë i bën pyetjen vetes - sa e qëndrueshme do të jetë situata në punën e tij, a do të ketë mundësi ai të ushqejë veten dhe familjen e tij? Ekziston gjithmonë rreziku për të mbetur pa punë. Sidomos në një situatë të tillë relativisht të paqëndrueshme ekonomike si tani. Prandaj tema e papunësisë dhe krizës akute financiare është aktuale, dhe, bashkë me të, edhe këto "profeci". Ato kanë fare pak gjëra të përbashkëta me realitetin.

Epidemia e mutacionit të gripit të shpezëve do të fshijë nga faqja e dheut një të katërtën e popullsisë. Qytetet do të shkretohen. Do të fillojë paniku i përgjithshëm. Vaksinën kundër tij nuk do të jenë në gjendje ta shpikin dot. Psikologia Maria Krugllova beson se ky "parashikim" është krejtësisht i pathemeltë.

- Epidemia e kaluar e gripit të shpezëve nuk ka marrë më shumë jetë njerëzore se sa çdo grip i zakonshëm. Kjo nuk mund të krahasohet kurrsesi me numrin e njerëzve që vdesin çdo vit nga kanceri, sulmet në zemër dhe tru dhe sëmundje të tjera. Vetëkuptohet, në qoftë se ndonjë supervirus do të shkretonte qytetet e botës, atëhere do të fillonte paniku i përgjithshëm. Por mjekësia aktualisht është në një nivel mjaft të lartë për të parandaluar gjëra të tilla.

Kështu që, të dashur lexues, merrini me një shkallë të arsyeshme skepticizmi të gjitha parashikimet e tmerrshme e së ardhmes së afërt.