Në të njëjtin përfundim arritën edhe pjesëmarrësit e diskutimit të hapur, që u mbajt në Sofje, me temë: "South Stream" dhe interesat e Bullgarisë". Përse vallë bullgarët, të cilët janë fort të kujdesshëm në veprimet e veta, po përpiqen të arrijnë me të gjitha mënyrat tani fillimin e ndërtimit të seksionit të vet të këtij tubacioni? Ç’rëndësi ka shtrimi i këtij gazsjellësi për energjetikën e BE-së në dritën e krizës politike në Ukrainë? Reflektimet e veta në lidhje me këtë temë i ndau me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" eksperti autoritativ bullgar, Prof. Dr. Atanas Tasev:

- Unë nuk dua të komentoj qëndrimin e zyrtarëve tanë të nivelit të lartë, por personalisht mendoj se: gazsjellësi "Rryma Jugore" është një projekt me rëndësi strategjike për Bullgarinë. Por dhe për mbarë Evropën në tërësi. Ai plotëson detyrën kryesore të sigurisë energjetike - garanton stabilitetin e furnizimeve të lëndës djegëse. Dua t’ju kujtoj, në "Paketën e Tretë të Energjisë" të BE-së garantimi i furnizimit të lëndës hidrokarbure ka përparësi edhe mbi diversifikimin e rrugëve të marrjes së "karburantit blu". Cila është arsyeja përse unë i jap sot një rëndësi të tillë tubacionit "Rryma Jugore"? Ai, siç dihet tashmë, do të shtrohet me anashkalim të territorit të Ukrainës. Ndërsa ngjarjet e fundit atje kanë konfirmuar: ky territor është krejtësisht i paqëndrueshëm.

"Rryma Jugore" është një projekt shumë i shtrenjtë për "Gazprom-in". Është shpallur kosto e tij - shuma prej 17 miliardë euro, vazhdon Atanas Tasev. Duke ndërmarrë shpenzime të tilla kaq të mëdha, Rusia tregon qartë se e percepton Evropën si një partnere të qëndrueshme afatgjatë. BE-ja, sipas mendimit tim, duhet të ndërmarrë hapa për t’i dalë përpara asaj. Fjalë bëhet, natyrisht, për objektin e vazhdueshëm të kontestit - kërkesat e Brukselit për liberalizimin e tregut të energjetikës, ndërsa më konkretisht, për përfitimin e aksesit në këtë gazsjellës të vendeve të treta. Përse të mos i jepet në këtë rast tubacionit "Rryma Jugore" statusi i TEN (Trans European Network)? Kjo do të eliminonte menjëherë të gjitha mosmarrëveshjet ekzistuese dhe do ta distanconte atë nga përfshirja në kërkesat e famëkeqes "Paketa e Tretë e Energjisë". Ndërkaq, duhet thënë, se në rrugën e shtrimit të gazsjellësit "Rryma Jugore" do të ketë disa objekte të magazinimit të gazit, dhe, gjithsesi, tubacioni do të përfshihet në rrjetin e përbashkët evropian. Me pak fjalë, "Rryma Jugore" është një rrugë e vërtetë trans-evropiane, ashtu siç dhe ishte menduar fillimisht. Nëse mosmarrëveshja mes "Gazprom-it" dhe Komisionit Evropian do të zgjidhet, atëhere do të gjendet edhe kompromisi i nevojshëm, dhe atëhere Evropa do të përfitojë faktikisht me shtrimin e gazsjellësit "Rryma Jugore" tubacionin aq të lakmuar prej saj, por të frustruar "Nabucco". Dhe, duhet theksuar në këtë rast, pothuajse falas! - përmbledh eksperti bullgar Atanas Tasev.