Megjithatë, meteorologët këmbëngulin se të gjitha këto anomali nuk janë aspak arsye për të folur mbi zhvendosjen e brezave klimatikë. Dhe rekomandojnë që të perceptohen të gjitha ato që po ndodhin tani si shaka të natyrës.

Moti parapëlqen të bëjë surpriza. Më shpesh jo të kënaqshme. Ja dhe tani dëborës në Vjetnam i gëzohen ndoshta vetëm turistët, kurse banorët lokalë llogarisin humbjet nga kulturat e ngrira në fushë.

Në Rusi, në të kundërt, presin me padurim ngricat dhe dëborën. Së shpejti do të vijnë pushimet e festave të fundvitit, ndërsa në rrugë ka vetëm pellgje uji dhe syri të zë gjithkund tokë të zhveshur. Sipas të dhënave të Qendrës Hidrometeorologjike të Rusisë, nëntori i vitit 2013 rezultoi të jetë më i ngrohti në Rusi në gjithë historinë e vëzhgimeve meteorologjike, dmth që nga viti 1891. Dhjetori është gjithashtu pothuajse 5 gradë më i ngrohtë se norma mesatare. Ndërkaq parashikuesit e motit nuk nxitojnë të flasin për ndofarë anomalish klimatike. Të gjitha këto dukuri janë afatshkurtra dhe me karakter lokal, kurse, në përgjithësi, vërehet një tabllo e zakonshme për periudhën përkatëse, konfirmon eksperti rus Anatoli Cigankov:

- Ne ndodhemi në Evropë dhe vërejmë se tek ne po mban mot i ngrohtë. Por në hemisferën Veriore moti i përshtatet plotësisht dimrit dhe është gjithkund njësoj. Tek ne vatra e të ftohtit është Oqeani i Ngrirë i Veriut. Masa e ajrit të ftohtë mbi të nuk qëndron në vend por lëviz ose në drejtim të Euroazisë, ose në anën e Amerikës. Në vitet e fundit zhvendosja e saj ka qenë më tepër në anën e territorit tonë, sepse në Rusi, veçanërisht në Siberi, në Jakutia, kanë bërë ngrica të mëdha. Këtë vit, duke filluar që nga vjeshta, i ftohti është zhvendosur drejt Kanadasë. Rrjedhimisht në Rusi ka ardhur më shumë ngrohtësi nga jugu, nga ana e Kinës dhe Indisë. Por në qoftë se do të marrim hemisferën në tërësi, atëhere konstatojmë se temperatura mesatare nuk ka ndryshuar shumë në krahasim me vitin e kaluar ose parvjet.

Në Kanada këto masa ajrore, të ardhura nga veriu, çuan në një katastrofë të shkallës kombëtare. Shirat e akullt lanë pa drita dhe ngrohje një çerek milion njerëz. U rrëzuan dhe u shkulën me rrënjë shumë pemë, u shkatërruan jo pak ndërtesa. Ka madje dhe viktima ndër banorët. Ndërkaq parashikuesit e motit nuk nxitojnë t’i ngushëllojnë kanadezët - reshjet e shiut të akullt mund të zgjasin disa ditë. Rusët e njohin fort mirë këtë situatë jo me të dëgjuar, kujton meteorologu kryesor Leonid Starkov:

- Në dhjetor të vitit 2010 pothuajse e gjithë pjesa e Rusisë Qendrore u ndodh në zonën e frontit të ngrohtë jo aktiv (gati statik). Ai nuk zhvendosej, ka qëndruar për një kohë të gjatë në një territor dhe çoi në formimin e një cingërime, acari të fortë.

Çka është interesante - këto dukuri edhe pse janë të rralla, njihen prej kohësh megjithatë. Prandaj meteorologët nuk i lidhin këto fenomene me teorinë bashkëkohore të ngrohjes klimatike. Ngrohja globale është një çështje e veçantë që kërkon studim të thelluar. Ndërkohë që natyra e shirave të akullt është e njohur dhe plotësisht e kuptueshme. Vetëm se parashikimi i tyre i hershëm, qoftë edhe dy ditë para, është i pamundur.