Sipas njoftimit të gazetës turke "Aksam", acarimi i Ankarasë është i lidhur me rezultatet e takimit të fundit të ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së, ku në rendin e ditës figuronin çështjet e pranimit në BE të Turqisë, Kroacisë, Serbisë dhe Islandës. Si përfundim u morr vendimi që fillimi i negociatave me Serbinë për anëtarësimin e saj në BE të startojë në janar të vitit 2014. Në të njëjtin vit Brukseli do të pranojë aplikimin e Bosnjë dhe Hercegovinës për marrjen e statusit të kandidatit zyrtar për anëtarësim në Komunitetin Evropian. Ndërsa në adresë të Turqisë tingëlluan jo pak deklarata të forta, madje të rrepta, përkatësisht të ardhmes së saj në Bashkimin Evropian.

Përfundimisht bëhet mëse e qartë se Brukseli e ndan, e veçon pra, Ankaranë nga Ballkani, ku ajo ka qenë tradicionalisht e pranishme. Pas ardhjes në pushtet të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në Turqi, Ballkani u pa si një nga drejtimet prioritare të politikës së jashtme turke. Mbas shpërbërjes së Jugosllavisë Perëndimi mbështeti përforcimin e pozitave të Ankarasë në këtë rajon, duke i dhënë asaj disa bonuse gjeopolitike. Kurse tani ai po i privon asaj lidhjet historike dhe ideologjike, ndërsa në të ardhmen edhe ato ekonomike me Ballkanin.

Është fort mirë e njohur se në vitet e fundit Turqia ka investuar mjete të konsiderueshme në zhvillimin e korridorit mysliman evropian të komunikimit, i cili kalon nëpër rajonet e krahinës bullgare të Rodopit, në Serbinë jugore, Sanxhakun Novopazarski, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri. Kjo është lehtësuar në masë të madhe nga ndjekja atje e politikës së euro-modernizimit. Tani para këtyre vendeve po hapin dyert evropiane, ndërsa Turqisë i kërkohet të presë për një kohë të pacaktuar. Madje më tepër se kaq, në të ardhmen nuk mund të përjashtohet aspak forcimi i pozitave të Greqisë në Ballkan.

Pikërisht në këtë kontekst, siç besojnë shumë vëzhgues, dhe kuadrohet deklarata e Erdoganit në lidhje me ish-zotërimet e Perandorisë Osmane në Ballkan. Ajo është perceptuar si një reagim nostalgjik ndaj të kaluarës, por çka është shumë më serioze, e shkaktuar prej druajtjes se Turqinë edhe mund ta privojnë fare nga "europianizimi".