Ndaj të gjithë atyre që kanë shkuar tashmë në botën tjetër, ose kanë humbur postin e vet, gjithkush ka qëndrimin e vet individual - ata mund t’i duan apo mund t’i urrejnë. Kjo është një zgjedhje tepër personale. Por një gjë atyre nuk mund t’i mohohet kurrsesi: ata ishin personalitete, të cilët nuk lejonin të mërzitej as "audiencën", as shtypin, as rivalët dhe as homologët e tyre presidentë. Kurse shumë të mbeturve në pushtet viti që po largohet u ka fshirë shkëlqimin dhe famën e kohëve të shkuara.

Për shembull, Presidentit të SHBA-së Barack Obama, edhe pse ai nuk është larguar nga posti i vet, "bateritë" i janë shkarkuar në mënyrë të tillë që nuk i bën më dot derman asnjë karikues. Vëmendja ndaj tij po rritet vetëm në kahun e vlerësimit negativ (në minus): skandalet me mbikëqyrjen globale të NSA-së, dështimet e njëpasnjëshme në politikën e jashtme dhe të brendshme.

Shumica e ekspertëve konfirmojnë se "muzgje" të tilla në politikë nuk janë ndonjë e rrallë. Kjo është diçka e ngjashme me ndryshimet klimatike ciklike - me kalimin nga periudhat e ngrohta në ato të akullnajave. Një gjë e tillë ndodh shpesh pas krizave financiare, kur lypsen teknokratë me përvojë. Sepse në natyrën e tyre ka më shumë nuanca koloristike të qeta, gjysmëtone. Ashtu si në karakterin e Kancelares gjermane Angela Merkel, ose "Mutti" ("Mëmëza") siç e quajnë atë me përkëdheli gjermanët. Në shtator ajo u bë kancelare për një mandat të tretë dhe, ka shumë mundësi, ta zërë këtë post madje dhe për herë të katërt.

Jo të gjithë, natyrisht, janë të humbur, krejtësisht të pashpresë. Për shembull, Papa i ri i Romës, Françesku, premton ta gjallërojë, ta ripërtërijë peizazhin e Vatikanit jo vetëm me reformat e veta kardinale. Famullitari i Krishtit tashmë ka refuzuar përdorimin e limuzinës luksoze, organizimin e ceremonive pompoze dhe u zhvendos me banim nga apartamentet e Pontifikut në Pallatin Apostolik të Vatikanit në hotelin modest "Santa Marta". Ndërsa kryqin masiv papnor prej ari të Pontifikut, Papa Françesku e zëvendësoi me një konvencional prej çeliku.

Presidenti rus Vladimir Putin në mënyrë krejtësisht evidente parakalon, përkatësisht popullaritetit të vet, shumë homologë të tij, duke përfshirë edhe Barack Obamën. Të paktën, në shumicën e renditjeve botërore të vlerësimit ai pozicionohet në vendet e para. Por as Kreu i të gjithë katolikëve, as Lideri i Rusisë nuk i lejojnë vetes deklarata të tilla mjaft ekspresive, për të cilat dalloheshin Chavez apo Berlusconi.

Nga skena politike janë larguar, me të vërtetë, udhëheqësit tejet karizmatikë. Dhe është shumë e vështirë të gjenden njerëz që të mund t’i zëvendësojnë dot ata, por, ndosha, as që duhet një gjë e tillë.

Tani ka ardhur koha e vështirë kur shumica e vendeve nuk ia kanë ngenë fishekzjarreve. Kjo tendencë është, mjerisht, mbarëbotërore, thotë analisti politik rus Vladimir Bruter:

- Unë mendoj se në vendet evropiane tani do të mbizotërojë një periudhë afatgjatë, e cila nuk do të jetë e pasur, produktive me politikanë të spikatur, me peshë, karizmatikë. Këtë e kushtëzon situata socio-ekonomike. Kjo është një periudhë kur edhe politikani mund të mos i vijë për mide gjithkujt, edhe vendimet që merren janë primitive.