Kontrata për furnizimin në Peru të helikopterëve shumë-qëllimorë transportues ushtarakë të modelit "Mi-171SH" është bërë më e madhja në historinë bashkëkohore të bashkëpunimit tekniko-ushtarak me Perunë dhe një nga më të qenësishmet në tregun botëror të helikopterëve të transportit ushtarak, thotë Zëdhënësi i kompanisë shtetërore ruse "Rosoboronexport" Aleksei Vencllovskij:

- Helikopterët do të furnizohen në Peru për dy vjet. Gjithashtu në vitin 2016 pala ruse do të hapë në Peru qendrën e shërbimit teknik, në të cilën do të kryhet mirëmbajtja dhe riparimi jo vetëm i helikopterëve të dorëzuar sipas kontratës në fjalë, por edhe i atyre të blerë më parë nga ky vend. Krijimi i qendrës së shërbimit të helikopterëve do të mundësojë mbajtjen e parkut të helikopterëve në gatishmëri të përhershme operacionale.

Në Peru helikopterët rusë do të përdoret për të luftuar kundër terroristëve dhe trafikut të paligjshëm të drogës, thotë shkencëtari politik rus Ivan Konovallov:

- Përsa i përket luftës kundër trafikut të drogës, në Amerikën Latine disponueshmëria e këtyre helikopterëve është e një rëndësie kritike. Sepse atje lufta kundër trafikut të drogës zhvillohet, si rregull, në xhungla. Ndërsa helikopterët rusë, të tillë si "Mi-171", të cilët janë konstruktuar në bazë të helikopterit të famshëm "Mi-8", janë më të mirëpërshtatur për kryerjen e operacioneve të kësaj natyre.

Helikopterët "Mi-171SH" e fituan tenderin në një konkurrencë mjaft të ashpër me prodhues të tjerë botërorë. Kjo kontratë është një avancim i ri për Rusinë në tregun e armatimeve të Amerikës Latine, thotë Ivan Konovallov.

Në tregun botëror të armëve Rusia renditet e dyta pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2012 Rusia ka eksportuar pajisje ushtarake me vlerë në 12.9 miliardë dollarë, e cila rezulton të jetë një e pesta e të gjitha kontratave që i bien për pjesë Amerikës Latine.