Në takimin e "Miqve të Sirisë", që u mbajt pak kohë më parë në Londër, vendet perëndimore lanë të kuptohet se nuk e konsiderojnë më dorëheqjen e Assadit si rezultat të dëshiruar dhe se nuk janë aspak kundër pjesëmarrjes së tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Për arsyet, që i detyruan politikanët perëndimorë të ndryshojnë pozicionin e tyre, tregon analisti rus Sergei Demidenko:

- Tani është bërë mëse evidente për të gjithë se Bashar Al-Assad gëzon mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullsisë, se në radhët e opozitës dominojnë islamistët radikalë (ndërsa kjo e frikëson në mënyrë të veçantë Perëndimin), se opozita laike nuk është në gjendje për të marrë në duart e veta pushtetin, nëse bie regjimi i Bashar Al-Assadit, dhe se nuk mund t’i kundërvërë asgjë islamikëve. Të kuptuarit e kësaj ekziston tashmë prej kohësh në qarqet diplomatike dhe politike në Perëndim. Ndërsa tani kjo po bëhet një qëndrim zyrtar.

Vlen të përmendet se kohët e fundit është shprehur në mënyrë të ngjashme ish-Shefi i CIA-s, Michael Hayden. Duke marrë fjalën në Uashington, në një konferencë kushtuar problemeve të terrorizmit, ai deklaroi se fitorja përfundimtare e Assadit mbi opozitën është skenari më i mirë si për vetë Sirinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Në rast të kundërt, vendi do të përballet me një konflikt të zgjatur fetar ose madje me shpërbërjen e vet.

Kanë ndikuar në mendimin e udhëheqësve perëndimorë edhe ndryshimet që ndodhën në kampin e përkrahësve të rebelëve sirianë. Katari, pas ndryshimit të Emirit, u bë më pak i interesuar në mbështetjen e militantëve që luftojnë në Siri. Ndërsa Riyadh, edhe pse vazhdon të mbetet sponsori i tyre kryesor, po humbet kontrollin ndaj grupimeve kundërshtare të Bashar Al-Assad, thotë eksperti rus për Lindjen e Mesme Semjon Bagdasarov:

- Arabia Saudite mbështet një organizatë të tillë si "Dzhebhat en-Nusra". Ajo kontrollohet dhe mbikëqyret drejtpërdrejti nga Shefi i inteligjencës së Arabisë Saudite, Bandar bin Sultan. Por në Siri vepron edhe një organizatë tjetër, e barabartë për nga fuqia e vet me "Dzhebhat en-Nusra", e quajtur "Shteti Islamik në Irak dhe Levant". Ky grup, sipas disa të dhënave, ka dalë tashmë jashtë kontrollit të sauditëve dhe i nënshtrohet plotësisht Kreut të "Al-Qaeda" Ayman al-Zawahiri, të cilit ai iu betua për besnikëri. Me fjalë të tjera, madje edhe Arabia Saudite është duke humbur ndikimin e vet në strukturat islamike.