Rreth kolonisë penale, ku deri më sot ka vuajtur dënimin me burgim afatgjatë Hodorkovskij, që në mëngjesin e herët të së premtes u mbodhën qindra gazetarë. Disa përfaqësues të mediave mbërritën atje që të enjten, sapo u bë e ditur mbi faljen e mundshme të Mihaill Hodorkovskit.

Synimin e vet për të nënshkruar dekretin mbi faljen e tij Vladimir Putin e artikuloi menjëherë pas konferencës së madhe për shtyp të ditës së enjte, duke iu përgjigjur pyetjes së fundit të gazetarëve tashmë në margjinat e saj. Analistët politikë filluan të vrasin mendjen: a do ta festojë vallë Mihaill Hodorkovskij, i cili kaloi më shumë se dhjetë vjet në koloninë penale, Vitin e Ri në shtëpi? Që të nesërmen Presidenti Putin e mbajti premtimin e vet, thotë deputeti i Dumës Shtetërore Mihaill Margellov:

- Sistemi po demonstron humanizmin e vet. Pikërisht në këtë konsiston, ndoshta, edhe urtësia e shtetit, edhe sekuenca e të gjitha veprimeve të Kryetarit të shtetit, i cili vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e shoqërisë civile.

Sipas fjalëve të Presidentit, Mihaill Hodorkovskij në kërkesën e tij për mëshirë "i referohet rrethanave të një natyre humanitare - nëna e tij është e sëmurë rëndë". Marina Hodorkovskaja pohon se lajmin e lirimit të djalit të saj e ka mësuar nga mediat. Dhe se deri tani nuk mund ta besojë dot këtë:

- Ky është një sihariq, një lajm që më bëri shumë të lumtur mua. Më duhet njëfarë kohe për ta perceptuar gjithë atë që ndodhi. Sepse unë akoma, ndoshta, deri tani nuk arrij ta besoj se kjo është e vërtetë. Zemra më përpëlitet si e të çmendur në gjoks dhe unë kam gëlltitur qetësues madje më tepër se ç’duhet.

Tani shumëkush vret mendjen me kërshëri se me çfarë do të merret ish-Kreu i kompanisë së naftës "Jukos" pas lirimit nga burgu. Kështu, për shembull, Udhëheqësi i Partisë Liberal-Demokratike të Rusisë (LDPR) Vladimir Zhirinovski ka presupozuar se ish-sipërmarrësi mund të bëhet një shkrimtar popullor:

- Ai të kujton paksa Kontin e Montekristos, Dostojevskin apo Sollzhenicinin. Ai disponon një material shumë të pasur. Unë mendoj se ai do të bëhet shkrimtar.

Ka, natyrisht, edhe supozime të tjera. Për shembull, ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që Mihaill Hodorkovskij të fillojë të merret me veprimtari shoqërore. Disa media nisën të shkruajnë për atë se gjoja Grupi i Helsinkit i Moskës ka ndërmend ta ftojë atë në punë në këtë organizatë. Megjithatë, Kryetarja e vetë organizatës për të drejtat e njeriut, Ljudmilla Aleksejeva, e ka përgënjeshtruar një informacion të tillë.

Mihaill Hodorkovskij kaloi në burg më shumë se 10 vjet. Biznesmeni duhet të lirohej nga burgu në gusht të vitit të ardhshëm.