Një nga temat e para dhe ndër më kryesoret të bisedës me përfaqësuesit e mediave ruse dhe të huaja u bënë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës. Putin deklaroi se ndihma solide, që i ofron tani Moska Ukrainës, është diktuar kryesisht nga fakti se vendi vëllazëror u ndodh në një situatë tejet të vështirë financiare dhe politike. Duam t’ju kujtojmë, se fjalë bëhet për rreth 15 miliardë $, të cilat Rusia do ti vendosë në letrat me vlerë të Ukrainës, si dhe për uljen e konsiderueshme të çmimit të gazit për këtë vend. Putin deklaroi se ndihma ruse nuk është e lidhur aspak me "EvroMajdanin" dhe as me negociatat e Ukrainës për asocimin në BE. Fjalë bëhet për "marrëdhëniet e veçanta me Ukrainën":

- Ne shpesh përdorim lokucionin "popull vëllazëror". Sot ne shohim se Ukraina ndodhet në një situatë të vështirë: edhe ekonomike, edhe politike. Kjo situatë ka lindur për një sërë arsyesh, por ajo është objektive. Nëse themi me të vërtetë se ky është një popull vëllazëror dhe vend vëllazëror për ne, atëhere duhet të veprojmë si me të afërmit tanë më të ngushtë dhe të mbështesim popullin ukrainas në këtë situatë të vështirë.

Presidenti komentoi informacionin në lidhje me vendosjen e komplekseve raketore ruse "Iskander" në rajonin e Kaliningradit, që shkakton shqetësim serioz në Perëndim. Sipas mendimit të tij, ky hap (vendimi përfundimtar në lidhje me të cilin nuk është marrë ende) mund të jetë një prej përgjigjeve ndaj planeve të SHBA-së për dislokimin e sistemit të mbrojtjes antiraket në Evropë, i cili nuk mund të mos preokupojë Moskën.

Moska nuk përpiqet të mësojë nga ish-oficeri i NSA-së, Edward Snowden, detaje të veprimtarisë së shërbimit të fshehtë të SHBA-së në drejtim të Rusisë. Në këtë mënyrë iu përgjigj Presidenti pyetjes mbi fatin e ish-agjentit, në lidhje me dhënien atij të azilit të përkohshëm në Rusi. Kryetari i shtetit ka konfirmuar se ai nuk është takuar asnjëherë me Snowden. Megjithatë, Putin mendon se ai ka bërë një zgjedhje të vështirë në jetë, por mjaft fisnike, pasi në demaskimet e tij flitej, në veçanti, për përgjimin e telefonave të figurave të mëdha politike.

Bashkë me këtë Putin është mëse i bindur se inteligjenca amerikane, duke u marrë me përgjimin, survejimin e qytetarëve në mbarë botën, ka vepruar në interes të luftës kundër terrorizmit. Megjithatë edhe këtu duhet të ketë rregulla të caktuara, shtoi Lideri rus:

- Këtu është e nevojshme për të kufizuar në nivel politik orekset e shërbimeve sekrete, për të aplikuar ndofarë rregullash. Por, në përgjithësi, mendoj se kjo është një domosdoshmëri.

Një bllok i madh pyetjesh iu përkushtua iniciativave ndërkombëtare të Moskës. Vladimir Putin konstatoi se gjatë vitit në përfundim Rusia dhe partnerët e saj kanë dhënë një kontribut me peshë në zgjidhjen e shumë problemeve të ngutshme, tejet të mprehta, të tilla si kriza siriane dhe programi bërthamor i Iranit. Ai përsëriti edhe njëherë se mbështet të drejtën e Iranit për zhvillimin e programin të vet paqësor bërthamor dhe u shpreh për rolin kryesues të OKB-së në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare.