Në fakt, Brazili tashmë për herë të dytë i refuzon Edward Snowden dhënien e azilit politik. Para se ish bashkëpunëtori teknik i shërbimeve sekrete amerikane të NSA-së dhe CIA-s, i cili inicioi në qershor të këtij viti skandalin e bujshëm mbarëbotëror me spiunazhin, të gjente strehim të përkohshëm në Rusi, ai i ishte drejtuar një sërë vendeve me kërkesën për azil politik. Dhe pothuajse menjëherë dhe gjithkund, duke përfshirë edhe Brazilin, ka marrë një përgjigje negative.

Megjithatë Snowden vazhdon të demonstrojë një konseguencë, qëndrueshmëri dhe principialitet të tillë që është me të vërtetë për t'u patur zili. Pasi në fillim të javës zyrtari i lartë i NSA-së Richard Ledgett njoftoi mbi mundësinë e amnistisë për Snowden në këmbim të heshtjes së tij të mëtutjeshme në media, i arratisuri nga SHBA-ja që të nesërmen botoi një letër të hapur në gazetën braziliane "Folha de Sao Paulo". Në këtë letër ai u shpreh i gatshëm për të rifilluar demaskimin e mëtejshëm të veprimtarisë së shërbimeve sekrete amerikane, në qoftë se ndonjë shtet do t'i japë atij statusin e përhershëm të refugjatit politik. Por Brazili zyrtar, siç rezulton nga publikimet e shtypit lokal, nuk ka ndërmend t’i japë strehim Edward Snowden.

Edhe pse Snowden nuk kërkon haptazi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, azil politik në letrën e vet, pikërisht kjo dhe rrjesh nga përmbajtja e saj, tha në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Ivan Valente - Kryetari i Partisë braziliane të Socializmit dhe Lirisë (PSOL):

- Edward Snowden tashmë e ka pranuar një vend, kjo është Rusia. Dhe në pozitën e tij nuk është aspak e lehtë për të deklaruar hapur se për të do të ishte më mirë që të merrte strehim në një vend tjetër. Megjithatë, përmbajtja e përgjithshme dhe toni i letrës së tij flasin qartë se ai do t’i ishte përgjigjur pozitivisht dhënies së azilit politik nga Brazili. Sepse ky është një proces i gjatë, dhe në çast gjërat nuk mund të bëhen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbikëqyrur intensivisht Presidenten e Brazilit Dilma Rousseff, anëtarët e qeverisë braziliane. Prandaj, ky vend duhet të jetë i gatshëm për të paguar një "çmim të caktuar politik" në rastin dhënies së azilit politik Snowden-it, thotë Ivan Valente:

- Qeverisë do t’i duhet të përballojë presionin e madh që do të ushtrohet mbi të nga ana e qarqeve konservatore, një pjese të shoqërisë dhe, para së gjithash, shtypit. Por, nga ana tjetër, përballë spiunazhit dhe atij agresioni, që përfaqëson në vetvete ai, do të ishte e logjikshme që opinioni publik të jepte një përgjigje në formën e dhënies së azilit politik. Zgjedhjen e vet duhet ta bëjë tani qeveria e Brazilit.

Përsa i përket vetë Snowden, duhet thënë, se ai me mjaft largpamësi rifilloi kërkimin për një azil të përhershëm politik - sepse në Rusi ai ka marrë strehim për një afat vetëm 1 vjeçar. Ndoshta ndonjë vend në Amerikën e Jugut do të marrë megjithatë guximin për ta pranuar demaskuesin e veprimtarisë së shërbimeve sekrete amerikane, por kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt. Gjithsesi, në karnavalin brazilian në Rio, i cili starton në fund të shkurtit, Snowden nuk arrin dot të shkojë.