Në qoftë se më parë arma bërthamore konsiderohej si arma e më të fortit të kësaj bote, tani ajo është armë e të dobëtit, mburoja e tij e fundit, më e besueshme dhe më e sigurtë nga ekspansioni i jashtëm. Komanda për lëshimin e raketave bërthamore mund të tingëllojë pothuajse nga çdo rajon i botës. Ja se çfarë thotë Bashkëpunëtori i vjetër shkencor i Qendrës së Sigurisë Ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Pjotër Topiçkanov:

- Të marrim, për shembull, Indinë dhe Pakistanin. Gjatë një konflikti tipik në territorin e diskutueshëm të Kashmirit njëra nga palët, duke supozuar gabimisht se kundërshtari tashmë po jep goditje mbi të, mund të marrë vendimin për fillimin e sulmit bërthamor. Dhe ky është një skenar mjaft i vërtetësishëm, i mundshëm i asaj se si armët bërthamore mund të përdoren në momentet aktuale.

Nëse skenari më tragjik do të bëhet realitet, atëhere nën goditje do të ndodhet një prej rajoneve me popullim më të dendur dhe më të varfër të planetit. Që në sekondat e para nga emetimi i rrezatimit dhe vala goditëse e shpërthimit mund të humbasin jetën rreth 12 milionë njerëz, ndërsa në 2-3 ditët e para edhe rreth 100 milionë të tjerë. Nga kontaminimi radioaktiv i mjedisit, uria dhe faktorë të tjerë çdo muaj do të vdesin 10-20 milionë vetë. Kështu, për vitin e parë pas"Ditë së Gjykimit" indo-pakistanez do të humbasin jetën rreth 300 milionë njerëz.

Në kushtet e kaosit të pakontrollur ata nuk do të ketë madje as se kush t’i varrosë. Të mbijetuarit do të marrin vrapin nga sytë këmbët prej vendeve të rrezikshme. Si pasojë - rajoni do të goditet nga një katastrofë humanitare me përmasa drastike, të papara. Gjatë periudhës në vazhdim humbjet do të rriten shumëfish për shkak të përhapjes së rrezatimit në shtetet fqinje - kryesisht në Kinën e mbipopulluar, në vendet e Azisë Juglindore dhe Lindjes së Mesme. Ja se çfarë thotë Pjotër Topiçkanov:

- Pasojat e përdorimit të armëve bërthamore do të jenë dramatike kudo. Nëse do të flitet për një shpërthim të vetëm bërthamor, atëhere pasojat, ka më tepër të ngjarë, të kenë karakter rajonal. Nëse India dhe Pakistani do të shkëmbejnë midis tyre goditje bërthamore, kjo do të shkaktojë një katastrofë me përmasa globale.

Ky skenar tragjik demonstron qartë gjithë rrezikun e nënvlerësimit të dukurisë së krizave rajonale. Kjo vlen jo vetëm për Indinë dhe Pakistanin, por edhe në përgjithësi për të gjitha shtetet, të cilat pretendojnë për një rol të veçantë gjeopolitik dhe që kanë qasje në teknologjinë bërthamore. Pas tyre, praktikisht në të gjitha rastet, qëndrojnë fuqitë e mëdha, të cilat duke u nisur nga interesat e tyre egoiste provokojnë konflikte.