Pakkush e njihte këtë fshat të vogël modest deri në kohën kur në vitin 1703 atë e bleu Kniazi (Princi) Gollicin - njëri nga aristokratët më të mirëarsimuar të kohës së vet. Lulëzimi i vërtetë i çifligut filloi kur ai kaloi në pronësi të njërit prej njerëzve më të pasur në Rusi - vlerësuesit të arteve dhe mecenatit Kniaz Nikollai Jusupov. Gjatë kohës kur atje jetonte pronari i ri çifligu Arhangelskoje u bë një nga qendrat më të njohura, më me popullaritet të jetës mondane të Moskës. Nikollai Jusupov në kohë të ndryshme ka qenë jo vetëm diplomat, por edhe Drejtor i Teatrove Perandorake, Pallatit të Armëve dhe Ermitazhit madhështor. Gjatë drejtimit të tij pallati mori konturet, ravijëzimet e veta të mrekullueshme përfundimtare me ndihmën e arkitektit francez Jacob Gern, vë në dukje Drejtori i Muzeut-çiflig "Arhangelskoje" Vladimir Dllugaç:

- Nikollai Jusupov i përkiste asaj kategorie njerëzish, të cilët ishin edukuar me vlerat e epokës së Iluminizmit. Në shekullin XIX, me ardhjen e Napoleonit, Klasicizmin e zëvendësoi stili Empire, që ishte tashmë një estetikë krejtësisht tjetër. Kurse Nikollai Jusupov, pasi doli në pension, i vuri vetes pikësynimin - të krijonte diçka që të mishëronte në vetvete stilin e klasicizmit. Dhe, pavarësisht nga fakti se në atë kohë stili Empire mbizotëronte gjithkund, në çifligun "Arhangelskoje" ai në çerekun e parë të shekullit XIX vazhdonte të ndërtonte klasicizmin. Pikërisht në bazë të idesë klasike u planifikua parku, u projektua dhe u ndërtua pallati si dhe të gjitha ndërtesat e tjera përreth tij.

Për realizimin e ndërtimeve në territorin e çifligut ftoheshin shumë arkitektë, rusë dhe të huaj. Bërthama e kompleksit arkitektonik dhe parkor është Pallati, qendër arkitekturore dhe kompozicionale e të cilit u bë salla e mrekullueshme Ovale. Kolona të fuqishme mermeri artificial mbajnë konstruksionet dekorative që konturojnë me shumë elegancë perimetrin e sallës dhe kupolën e lartë që ngrihet mbi to. Drita, që depërton nga dyert dhe dritaret me vetrazh, kolori i ngrohtë paksa i verdhë i kolonave, dekorimi vizatimor me ngjyra ari dhe platini i kupolës, tavani i pikturuar me kompozimin "Cupid and Psyche" në qendër të saj e gjallërojnë arkitekturën e rreptë të sallës. Në verë dyert e sallës Ovale hapeshin me pamje nga kopshti, duke sintetizuar hapësirat e ​​pallatit dhe parkut. Në këtë sallë më parë zhvilloheshin darka mondane dhe ballo. Ndërsa tani në të organizohen koncerte. Kniazi (Princi) Nikollai Jusupov ishte njohës mjaft i sofistikuar i artit. Prandaj nuk të çudit aspak fakti që ai arriti të mbledhë një koleksion të mrekullushëm pikturash evropianoperëndimore, në të cilin janë përfaqësuar tabllo të piktorëve të Francës, Holandës, Italisë dhe Gjermanisë. Për sa i përket bibliotekës së çifligut Arhangelskoje, ajo numëron sot 16.5 mijë volume të botimeve unikale.

Parku i çifligut "Arhangelskoje", i cili shpaloset menjëherë para syve sapo del nga Pallati, të mahnit imagjinatën. Ky nuk është madje një park i vetëm, por plot tre parqe. I pari prej tyre - parku Italian tarracë ndodhet direkt pas pallatit kryesor. Ai paraqet në vetvete dy tarraca - ballkone të rrethuar me balustrada. Balustradat janë të dekoruara me buste dhe statuja të mjeshtrave të shekujve XVIII-XIX. Gjatë zbritjes drejt lëndinës së madhe të kositur me shumë finesë para syve hapet panorama e kopshtit Francez. Dhe lëndina është një nga elementet e detyrueshëm të tij. Ai quhet, si në teatër, parteri (frengj. parterre) i madh. Pemët dhe shkurret në këtë park kanë gjithmonë forma të pazakonta gjeometrike për to. Po të kaloni në të djathtë të parkut Francez ju mund të dilni direkt nën hijen e pemëve të larta dhe shkurreve të dendura. Në fillim të krijohet përshtypja se ky është thjesht një pyll. Por në fakt, ky është parku i tretë i çifligut "Arhangelskoje" - parku me peizazh Anglez. Në ndryshim nga parku Francez, këtu duhet të të impresionojë bukuria e natyrës së egër, pa kurrfarë dhunimi të saj. Moda e krijimit të parqeve të tillë erdhi në Rusi në shekullin XVIII. Ansambli i çifligut të madh "Arhangelskoje" ndryshon nga shumë të tjerë për vetë faktin se këtu ka ndodhur sinteza e plotë dhe shkrirja e ndërtimeve arkitektonike, arkitekturës së parqeve të formave të vogla, është shfrytëzuar relievi natyror, thekson Vladimir Dllugaç:

- Tipari kryesor dallues i çifligut "Arhangelskoje" është horizonti dhe fushëpamja e gjerë si nga veriu në jug, ashtu dhe nga jugu në veri. Një hapësirë e gjerë dhe e hapur deri në pafundësi. Ky dhe është boshti rreth të cilit më pas u ndërthurën edhe parku i rregullt, edhe parqet peizazhe, edhe të gjitha ndërtesat e tjera si dhe dekorimet skulpturore - të gjitha këto janë vargëzuar si margaritarë në relievin natyror lokal. Në territorin e çifligut të gjitha mbjelljet janë artificiale. Pemët, shkurret janë mbjellë nga duart e njeriut. Pikërisht në fillim të shekullit XIX u planifikuan të gjitha këto zabele si dhe parku i rregullt. Në këtë dhe konsiston vlera e tyre, që ato u krijuan në të njëjtën kohë.

Skulpturat luajnë një rol të rëndësishëm në ansamblin e parqeve. Ato krijojnë një lloj ritmi, janë hallka ndërlidhëse midis objekteve natyrore dhe arkitektonike. Çdo skulpturë nuk është vendosur ashtu, krejt rastësisht. Çdonjëra prej tyre mbart një ide të caktuar. Ky është njëfarë simboli, i cili në një moment të caktuar ka qenë i rëndësishëm për arkitektin dhe pronarin, thekson Vladimir Dlugaç:

- I tërë ansambli i çifligut të madh u ndërtua jo në funksion të jetesës së zakonshme, por për argëtim në perceptimin e njeriut të mirëarsimuar. Domethënë ai ishte një muze. Prandaj duke shëtitur nëpër park çdokush mund të mësonte, të tregonte, të shihte, të kuptonte shumë gjëra falë koleksioneve, të cilat ishin kudo, në të gjitha territoret dhe në të gjitha ambientet e çifligut.

Çifligun "Arhangelskoje" e quajnë enciklopedi të jetës së çifligjeve. Këtu është paraqitur praktikisht çdo gjë që ka të bëjë me çifligun e periudhës klasike: pikturat, teatri, muzika, biblioteka unikale. Dhe sigurisht në bazë të stilit dhe konceptit të vet çifligu "Arhangelskoje" i përket shekullit XVIII. Në shekullin XIX çifligje të këtij lloji nuk ndërtoheshin më.