Ideja e mbajtjes së konferencave të mëdha për shtyp i takon Vladimir Putinit. Ky është formati më i mirë, më optimal, i cili i lejon atij t’i përgjigjet një numri të madh pyetjesh që interesojnë mediat ruse dhe të huaja. Shpesh herë në përgjigjet e Presidentit artikulohen deklarata dhe mesazhe, të cilat në të ardhmen luajnë rolin e atyre programative, tha analisti politik rus Dimitri Orllov:

- Vladimir Putin tradicionalisht preferon dialogun me grupe të ndryshme shoqërore: me shtypin, me popullsinë e vendit në tërësi. Pikërisht falë këtij dialogu autoritetet i vënë veshin zërit të shoqërisë dhe korrektojnë politikat e veta.

Në vitin 2012 konferenca për shtyp e Vladimir Putinit zgjati më shumë se katër orë e gjysmë. Ajo u ndoq nga 1.226 gazetarë, ndër të cilët rreth 200 ishin prej mediave të huaja. Presidenti mundi t’i përgjigjej më shumë se 60 pyetjeve. Ndërsa para fillimit të komunikimit me gazetarët Putini mbajti një fjalim 15 -minutësh, kujtoi analisti politik Dimitri Abzallov:

- Presidenti shprehu qëndrimin e Rusisë në lidhje me Bashkimin Doganor, politikën e ndërveprimit me fqinjët më të afërt të Federatës Ruse. Në kuadër të konferencës për shtyp Vladimir tregoi mbi projektet politike, politikën ekonomike. U diskutuan gjithashtu edhe marrëdhëniet me vendet evropiane dhe me shtetet e Azisë Juglindore. Natyrisht, në konferencën e pritshme për shtyp do të preken çështjet që kanë të bëjnë me Sirinë dhe Iranin, si dhe do të ketë pyetje që lidhen me Bashkimin Doganor të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit në kontekstin e perspektivave të bashkëpunimit me BE-në.

Tradicionalisht, gazetarët i drejtojnë Presidentit të Rusisë pyetje që kanë të bëjnë jo vetëm në çështjet globale, por edhe personale, dhe madje filozofike. Vitin e kaluar përfaqësuesit e mediave e ftuan Presidentin për peshkim, u interesuan të mësojnë për shëndetin e tij, i kërkuan të kthejë kohën (orën) e dimrit dhe madje e pyetën nëse do të gjejë vallë mishërim në jetë parashikimi i fisit të lashtë Mayan mbi fundin e botës më 21 dhjetor të vitit 2012, pra një ditë pas konferencës për shtyp. Presidenti u përgjigj se kjo do të ndodhë vetëm pas një gjysmë miliardi vjet dhe i siguroi gazetarët:

- Unë e di se kur do të vijë fundi botës. Mbas rreth 4.5 miliardë vjetësh, sepse, me sa mbaj mend unë, cikli i funksionimit të yllit tonë ndriçues, Diellit, është 7 ose 14 miliardë vjet.

Kurrfarë radhe në drejtimin e pyetjeve apo lista të përpiluara me to nuk ka. Prandaj gazetarët ndërmarrin gjithfarë marifetesh për të tërhequr vëmendjen e Vladimir Putinit ndaj vetes. Dikush vjen në sallën e konferencës për shtyp me postera. Përpiqen të tërheqin vëmendjen edhe duke u veshur me kostume të larmishme kombëtare, që bien shumë në sy, me tullumbace dhe madje flamurë të vegjël.