"Jasnaja Poljana" u trashëgua nga familja Tolstoi prej familjes Vollkonskij si prikë e bijës së Princit Nikollai Vollkonskij, si rezultat i martesës së saj me të atin e Lev Tolstoi, Kniazin Nikollai Tolstoi. Gjatë ndarjes midis vëllezërve të trashëgimisë së babait në vitin 1847 Lev Tolstoi përveç "Jasnaja Poljana" mori edhe disa fshatra, të cilat i shiti shumë shpejt. Atij i mbeti vetëm prona e patundshme e çifligut "Jasnaja Poljana" me një sipërfaqe mbi 1.000 hektarë. Shtëpia e madhe trekatëshe me 32 dhoma, në të cilën më 28 ​​gusht të vitit 1828 lindi Lev Tolstoi, nuk është ruajtur deri në ditët tona. Pas kthimit në vitin 1856 nga Shën Petersburgu në "Jasnaja Poljana", Lev Tolstoi u vendos në njërin nga dy krahët, anekset e çifligut të ndërtuar prej gjyshit. Meqenëse familja Tolstoi filloi të rritej në mënyrë intensive, në kohë të ndryshme në anekset e godinës janë bërë ndërtime shtesë. Kështu gradualisht dhe u krijua foleja e madhe në "Jasnaja Poljana", të cilën në familjen e Lev Tolstoi e quanin "shtëpia e madhe". Në të Lev Tolstoi jetoi për më shumë se 50 vjet të jetës së tij të komplikuar, të pasur me ngjarje dhe përjetime të ndryshme. Po në këtë shtëpi janë shkruar shumë nga veprat e tij.

Dhoma më e madhe në shtëpi ishte salla, kështu e quanin atë gjatë jetës së familjes Tolstoi. Mjaft gjëra në interjerin e sallës janë ruajtur nga shtëpia e vjetër, tregon Drejtorja e Muzeut-çiflig "Jasnaja Poljana" Ekaterina Tolstoi:

- Shumë sende të familjes janë trashëguar brez pas brezi. Fjalë bëhet për portretet familjare, mobiljet prej druri të kuq. Në shtëpinë e re u sollën nga shtëpia e vjetër e babait kolltukët e rehatshëm antikë. Unë do të doja të tërhiqja vëmendjen ndaj sendeve, të cilat kishin vlerë më shumë se çdo gjë tjetër për familjen e ardhshme Tolstoi. Bëhet fjalë për divanin prej lëkure, në të cilin u lind vetë Lev Tolstoi, kurse më pas edhe të gjithë fëmijët e tij. Ai gjithashtu u zhvendos në shtëpinë e re. Tavolinën e shkrimit të babait të shkrimtarit, e cila tani ndodhet në kabinetin e tij, ku janë shkruar veprat më të rëndësishme të shkrimtarit.

Lev Tolstoi nuk ka qenë kurrë një pronar-çifligar tradicional, ai vetë punonte shumë, duke dashur në këtë mënyrë të krijonte marrëdhënie të mira me fshatarët, të cilët ai i respektonte pafundësisht. Shkrimtari që në të ritë e vet mendonte se zotërinjtë janë apriori fajtorë përpara popullit. Në moshën 21 vjeçare Lev Tolstoi hapi në "Jasnaja Poljana" një shkollë për fëmijët e fshatarëve, ku ai vetë shpesh herë jepte mësim. Madje më tepër se kaq, në procesin e mësimdhënies Lev Tolstoi hoqi dorë nga gjithfarë disipline, marrëdhëniet e nxënësit me mësuesin atje ishin krejtësisht të barabarta, vëren Ekaterina Tolstoi:

- Nuk është sekret për askënd se "Abetaren", të cilin e shkroi vetë, ai e konsideronte gati si veprën më kryesore të gjithë krijimtarisë së tij. Metodika pedagogjike e tij konsistonte në faktin se ai me çdo fëmije kishte një mënyrë individuale të të sjellurit. Ai e dinte se çfarë interesash kishin fëmijët, lexonte shumë me ta, bisedonte, përsiatte. Orët e mësimit ishin ndërtuar në mënyrë të lirshme, të shpenguar dhe krejtësisht të natyrshme dhe gjithkush gjente në to diçka interesante për veten.

"Jasnaja Poljana" nuk është vetëm "shtëpia e madhe", ajo është gjithashtu edhe një territor i madh parku me rrugëza të ngushta romantike dhe liqene të vegjël. Në një nga këto rrugëza të largëta prej godinës kryesore qëndron stoli i preferuar i Lev Tolstoi, vend ky nga i cili hapet një panoramë e mrekullueshme. Një tjetër objekt me vlerë kulturore në "Jasnaja Poljana" është Pema e Dashurisë. Ekziston një besëtytni e tillë se nëse i bie disa herë rreth e rrotull asaj dhe ndërkohë mendon një dëshirë, atëherë ajo do të mishërohet patjetër në jetë.