Rusia do të investojë në letrat me vlerë të Ukrainës një pjesë të rezervave të Fondit Kombëtar të Mirëqenies me vëllim prej 15 miliardë $. Për këtë njoftoi pas përfundimit të takimit të Komisionit Ndërshtetëror ruso-ukrainas Presidenti rus Vladimir Putin. Mbi domosdoshmërinë e një kredie të re prej 15 miliardë dollarësh për vendin Viktor Janukoviç është shprehur që në tetor, kur në Ukrainë filloi punën misioni i FMN-së. Në pritje të vendimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar investitorët nuk nxitojnë të bëjnë investime në Ukrainë. Ndërsa tani investimet ruse mund t’i stimulojnë ata.

Falë kësaj Ukraina do të ketë mundësi të shmangë kolapsin ekonomik tani, mendon analisti politik ukrainas Mihaill Pogrebinskij:

- Kjo na jep një shans për të ndaluar afrimin potencial të default-it, pasi ne në vitin e ardhshëm do të duhet të bëjmë pagesa të tilla, pas të cilave Ukraina do të mbetej praktikisht me nivel të barazvlefshëm me zero të rezervave valutore. Pasi ne do të ishim të detyruar t’i jepnim të gjitha. Ndërsa tani na u dha një shans për të dalë nga situata jashtëzakonisht e vështirë në të cilën u ndodh ekonomia e Ukrainës.

Për të përshpejtuar rritjen ekonomike të vendit do të ndihmojë edhe ulja e çmimit të gazit për Ukrainën. Sipas shtesës së bërë në kontratën e lidhur më parë midis "Gazprom-it" dhe "Naftogaz-it" të Ukrainës, e cila është nënshkruar nga udhëheqësit e të dy vendeve, çmimi i gazit rus për kompaninë shtetërore ukrainase do të reduktohet nga 410 deri në 268.5 dollarë për 1 mijë metra kub, thekson Kreu i departamentit të studimeve analitike të Kompanisë Shtetërore "FOREX CLUB" (Ukrainë) Nikollai Ivçenko:

- Ulja e kostos së gazit për Ukrainën është një faktor shumë i rëndësishëm ekonomik, pasi Ukraina vazhdon të mbetet një ekonomi me efikasitet të vogël energjetik, ku ndërmarrjet dhe bizneset janë të lidhura ngushtë me përdorimin e gazit. Kjo është, në radhë të parë, industria kimike. Ndërsa industria kimike mbulon rreth 15-20 për qind të totalit të eksporteve të Ukrainës. Gazi rus përdoret gjithashtu në industrinë metalurgjike.

Duhet të theksohet se mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Doganor në takimin e fundit në Moskë nuk u diskutua. Dhe tani opozitës po i mbeten gjithnjë e më pak argumente për të fajësuar Presidentin Viktor Janukoviç për tradhëti kombëtare, thekson eksperti Aleksei Vllasov:

- Me këtë opozitës iu rrëzua karta e fuqishme atu, pasi Janukoviç në javët e fundit është akuzuar intensivisht prej saj se ka rënë fshehurazi në ujdi me Putinin dhe se së shpejti do të nënshkruajë marrëveshjen mbi pranimin e Ukrainës në Bashkimin Doganor.

Në këtë mënyrë, sipas mendimit të ekspertëve, qeveria e Janukoviçit dhe Azarovit ka marrë një mundësi reale për të rifituar besimin e asaj pjese të popullsisë, e cila e konsideronte integrimin europian si rrugën e vetme për Ukrainën.