Tezën e "zgjedhjes së të keqes më të vogël", e artikuloi ish-Shefi i CIA-s, Michael Hayden. Sipas fjalëve të tij, ka tre versione të zhvillimit të ngjarjeve në Siri. "Një nga opsionet është fitorja e Bashar Al-Assad. Dhe në momentet aktuale, sado e tmerrshme që të tingëllojë kjo, pikërisht ky variant mund të jetë më i miri". Hayden beson se dy opsionet e tjera janë përshkallëzimi i përleshjeve midis grupeve të armatosura radikale sunite dhe shiite si dhe shpërbërja e vendit.

Bashar Al-Assadit i kanë parathënë shumë herë disfatën e shpejtë dhe të pashmangshme. Është pritur se në radhët e ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë do të nisë kolapsi i plotë, shpërbërja totale. Me të vërtetë kanë patur vend tek-tuk raste të veçanta dezertimi. Po karakter masiv ato nuk kanë marrë megjithatë. Me kalimin e kohës vëzhguesit u bindën se Damasku bazohet jo vetëm në forcën ushtarake, por edhe në mbështetjen e një pjese të caktuar të popullsisë. Me pak fjalë, Assadi doli më i fortë nga ç’ishte menduar për të.

Revolucioni në Siri filloi si një lëvizje laike për demokracinë, por rezultoi në masakër fetare. Vendin e qytetarëve me prirje perëndimore e zunë fundamentalistët prej grupeve islamiste. Lufta për avancimin e Sirisë drejt të ardhmes së ndritur liberale u shndërrua në luftë për kthimin e vendit në të kaluarën e errët.

Rënia e Assadit faktikisht është e mbarsur me rrezikun e shpërbërjes së vendit, me "libanizimin" apo dhe "somalizimin" e tij. Pikërisht një perspektivë e tillë i detyron Shtetet e Bashkuara të riperceptojnë, të rishohin qëndrimin e tyre ndaj çështjes siriane. Ja se çfarë thotë Kryeredaktori i revistës "Rusia në çështjet e politikës globale" (russ. "Россия в глобальной политике") Fiodor Llukjanov:

- Me të vërtetë, të gjithë ekspertët e matur dhe mendjekthjellët amerikanë tani thonë se çdo skenar i fitores së opozitës është më i keq se gjithë të tjerët. Sido që të jetë Bashar Al-Assadi, gjatë drejtimit të tij Siria ishte një vend mjaft i qëndrueshëm dhe, ndoshta, do të jetë ende. Dhe në qoftë se atij do t’i lejojnë të fitojë luftën, atëhere problemi, të paktën për një fare kohë, do të mund të ezaurohet.

Sigurisht, do të ishte gabim të mendohej se tani Perëndimi është i mbushur plot entuziazëm në marrëdhënie me Assadin. Por, siç deklaroi jo shumë kohë më parë njëri nga ideologët kryesorë të politikës së jashtme amerikane, Zbigniew Brzezinski, fitorja e Asadit - kjo nuk është aq e frikshme dhe aq e tmerrshme si fitorja e kundërshtarëve të tij, të cilët janë shumë më armiqësorë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vështirë që fitorja hipotetike e Bashar Al-Assadit të vendosë menjëherë paqen. Siria tani është një vend i rrënuar me infrastrukturë krejtësisht të shkatërruar, i mbërthyer nga uria dhe plot probleme të tjera humanitare. Të gjitha këto do të bien si një barrë e rëndë mbi supet e sirianëve, ndërsa kundërshtarët e Assadit do të gjejnë argumente të reja me qëllim që të përpiqen të lëkundin sërish barkën. Por është mëse e qartë se në këtë rast ka të paktën njëfarë shprese për një rezultat, përfundim të favorshëm. Në të gjitha rastet e tjera kurrfarë shprese as që mund të ketë.