Dorëheqja e qeverisë ukrainase është bërë prej kohësh kërkesë kyçe e opozitës. Refuzimi për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian shërbeu vetëm si pretekst për inicimin e trazirave masive. Situatën e krijuar në Ukrainë e komenton Drejtori i Institutit rus të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP/CIS) Konstantin Zatulin:

- Njerëzit që janë mbledhur në Sheshin e Pavarësisë (Majdan), ndërsa më saktë, organizatorët e tyre, sot, siç e shohim, praktikisht nuk duan të shkojnë në dialog me autoritetet pushtetore. Ata kërkojnë dorëheqjen e të gjitha autoriteteve ukrainase, pa përjashtim, duke filluar që nga Presidenti e deri tek qeveria dhe Verhovna Rada (Parlamenti). Dhe fjalë nuk bëhet tani më për aksionet e protestës, por për tentativën evidente të grushtit të shtetit.

Protestat e vazhdueshme në Kiev e çuan Ukrainën në një krizë të thellë politike, mendon eksperti Vladimir Fesenko:

- Kriza e sotme është e lidhur me mosbesimin ndaj qeverisë aktuale, me pakënaqësinë e shkaktuar, ndër të tjera, edhe nga veprimet jo adekuate me përdorimin e forcës të përfaqësuesve të autoriteteve më 30 nëntor, kurse më pas me përpjekjen për të shpërndarë protestuesit e mbledhur në Majdan më 11 dhjetor.

Ekspertët ukrainas janë të prirur të besojnë se edhe po të mos kishin qenë ngjarjet e natës së 30 nëntorit, do të kishte patur me siguri diçka tjetër. Meqenëse Presidenti Janukoviç refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, u lansua "mekanizmi i përmbysjes së qeverisë", vë në dukje Konstantin Zatulin:

- Unë dua t’ju kujtoj se jo shumë kohë më parë u vranë disa njerëz gjatë shpërndarjes së demonstratave në Tbilisi gjatë kohës së presidencës së Mihaill Saakashvilit. Akoma dhe më e afërt është koha me situatën e krijuar në Turqi, vend ky i cili është i përfshirë në zonën e tregtisë së lirë dhe i asociuar me Bashkimin Europian, ku gjatë ngjarjeve në parqet turke gjetën vdekjen disa vetë. Por askush në këto raste nuk ka organizuar as në Turqi dhe as në Gjeorgji fshikullim demonstrativ me kamzhik dhe kurrfarë Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka dalë publikisht në lidhje me këtë me kërkesa e kërcënime për aplikim sanksionesh.

Kërkesat e vendosjes së sanksioneve për shpërndarjen e "EuroMajdanit", thirrjet për integrimin europian apo lirimin e Julia Timoshenko-s u spostuan tani për opozitën ukrainase në plan të dytë. Liderët e saj po injorojnë përpjekjet e qeverisë për të zgjidhur situatën e mbarsur me konflikt në mënyrë paqësore dhe refuzojnë çdo dialog me to. Kërkesa e tyre kryesore është ndërrimi i pushtetit.