Sistemi reaktiv i zjarrit të largët me breshëri "Smjerç" parashikohet për goditjen e shënjestrave në pozicionimet e largëta të gjithfarë objektivave grupore: forcë e gjallë, teknikë e blinduar, njësi të artilerisë, raketa taktike, komplekse të mbrojtjes kundërajrore dhe helikopterë në hangarë, për shkatërrimin e pikave komanduese, nyjeve të komunikimit dhe objekteve të strukturës industriale ushtarake. "Smjerç" hyri në përbërjen e armatimeve të ushtrisë në vitin 1987 dhe deri më sot vlerësohet si më i fuqishmi në botë. Një sërë zgjidhjesh principialisht të reja teknike, të mishëruara në konstruksionin e këtij sistemi dhe predhës së tij reaktive, lejojnë klasifikimin e këtij kompleksi në gjeneratën krejtësisht të re të armëve të këtij lloji. Përgatitja për luftim e sistemit "Smjerç" zgjat tre minuta, ndërsa zjarri me breshëri të plotë - tridhjetë e tetë sekonda. Ndërsa pas një minute makina lëviz nga vendi. Prandaj, sistemi është praktikisht i paprekshëm nga zjarri i kundërpërgjigjes i armikut.

Raketat e zhvilluara për sistemin reaktiv rus të zjarrit me breshëri "Smjerç" kanë një konstruksion unikal që siguron përpikërinë e shënjestrimit, goditjes, e cila është 2-3 herë më e lartë se sa treguesi analogjik i sistemeve të huaja të artilerisë reaktive. Teknologjia e prodhimit të predhave reaktive do t'i transferohet plotësisht sipërmarrjes së krijuar të përbashkët ruso-indiane.

Sipërmarrja e re ushtarake ruso-indiane nuk është e para në Indi. Atje tashmë veprojnë një sërë ndërmarrjesh të tilla të përbashkëta. Mjafton të kujtojmë sipërmarrjen e përbashkët të mirënjohur ruso-indiane "BrahMos". Ajo prodhon raketat më shpejta kruz. Shpejtësia e këtyre raketave është pothuajse tre herë më e madhe se shpejtësia e zërit, vë në dukje Shefi i Shtabit Kryesor të Forcave Raketore të Destinacionit Strategjik të Rusisë, Viktor Esin:

- Raketa kruz "BrahMos" është një nga projektet më të suksesshme të përbashkëta të Rusisë dhe Indisë. Kjo reflektohet madje dhe në emrin e saj. Sipërmarrja ruso-indiane "BrahMos Aerospace Limited" është quajtur për nder të dy lumenjve - Brahmaputra dhe Moska. Por dua të theksoj se selia e kompanisë, e cila krijon raketën "BrahMos", ndodhet në Indi. Raketa prodhohet me përpjekjet e përbashkëta të inxhinierëve rusë dhe indianë, por rolin kryesor e luajnë, në përputhje me kushtet e marrëveshjes, specialistët indianë. Në bazë të krijimit të kësaj rakete qëndron analogia e raketës supersonike ruse, edhe pse raketa e prodhuar në Indi është tashmë një version i përmirësuar.

Në bazë të licencës së marrë nga Rusia në Indi ka filluar prodhimi i avionëve gjuajtës "Su-30MKI" dhe tankeve "T-90". Rusia dhe India janë përfshirë në projektimin e përbashkët të avionit shumëqëllimor të transportit "MTA" dhe gjuajtësit të brezit të pestë. Po zhvillohen negociatat për organizimin në Indi të prodhimit të automatikëve të njohur në mbarë botën "Kallashnikov" dhe karabinave "Saiga-12".

Vendet perëndimore janë të gatshme t’i shesin Indisë armët e veta, por nuk nxitojnë ndërkohë të ndajnë me të teknologjitë e tyre ushtarake më të fundit, dhe aq më tepër të organizojnë prodhim të përbashkët me të. Uashingtoni, për shembull, i ka premtuar vazhdimisht Delhit për t'i vënë në dispozicion teknologjitë ushtarake që interesojnë indianët, por deri në zbatimin praktik puna nuk ka shkuar kurrë. Përafërsisht në të njëjtën mënyrë sillen edhe korporatat e tjera perëndimore.

Botimi indian "The Pioneer" në artikullin e vet me titull "Rusia do t’i japë Indisë teknologjinë më të fundit ushtarake të orientimit për raketën balistike ndërkontinentale" ka shkruar: "Duke patur parasysh qëndrimin diskriminues të disa vendeve të zhvilluara, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj Indisë në aspektin e shkëmbimit të teknologjive të avancuara përgjatë dy dekadave të fundit, prodhuesit tanë të raketave do ta kishin të vështirë, nëse Rusia nuk do t'u kishte ardhur atyre në ndihmë".