Në fund të fundit ajo është kërcënim me vdekje për vetë qelizat. Pacientët gërhitës duhet të marrin medoemos antioksidantë, janë të bindur mjekët.

Gërhitja është shenjë e çrregullimeve të frymëmarrjes për shkak të ngushtimit të rrugëve të frymëmarrjes. Pasojë e saj - deficiti i oksigjenit, i cili sjell si rrjedhojë në mëngjes hipertensionin, dhimbje koke dhe përkeqësim të punës së trurit. Jo më pak e rrezikshme është edhe një tjetër pasojë e gërhitjes e vërtetuar nga shkencëtarët e Degës siberiane të Akademisë ruse të Shkencave Mjekësore (russ. РАМН; shqip RAMN). Ekspertët kanë zbuluar se shkatërrimi i lipideve në organizmin e pacientëve gërhitës ndodh në mënyrë kaq të shpejtë, sa që ata kanë nevojë të ngutshme për të marrë antioksidantë.

Specialistët rusë kanë kryer një eksperiment me përfshirjen e 50 vullnetarëve meshkuj të moshës nga 46-55 vjeç. Nga këta 37 vetë vuanin prej çrregullimeve të frymëmarrjes gjatë gjumit. Shkencëtarët kanë përcaktuar përmbajtjen e lipideve në gjakun e pjesëmarrësve të eksperimentit në fjalë.

Lipidet - substancat yndyrore - janë pjesë përbërëse e pandarë e qelizës, rezervë energjetike e organizmit. Lipidet ndikojnë dhe janë të përfshira në transmetimin e impulseve nervore, tkurrjen e muskujve dhe në proceset imune të organizmit.

Gjatë eksperimentit u konstatua se organizmi i pacientëve gërhitës gjatë gjumit është nën stres, gjë që shkakton dëmtimin e qelizave, dhe për këtë arsye edhe ndryshimet patologjike në organizëm. "Rezultatet e studimit treguan se 100% e meshkujve me çrregullime të frymëmarrjes gjatë kohës së gjumit u diagnostikuan me patalogji kardiovaskulare dhe ndryshime serioze vaskulare (të enëve të gjakut)", - thotë Profesorja ruse Irina Madajeva. Për të shmangur pasojat e trishtueshme gërhitja është e nevojshme të trajtohet në mënyrë medikamentoze, duke përfshirë edhe marrjen e antioksidantëve.

Tani shkencëtarët janë duke u përpjekur për të gjetur nëse provon vallë një stres të tillë edhe organizmi i femrës.