Qeveria e Ukrainës do të duhet të diskutojë sot buxhetin për vitin e ardhshëm dhe të marrë në konsideratë situatën ekonomike dhe politike në vend. Sipas mendimit të ekspertëve, kurrfarë rezultatesh konkrete nuk duhet të priten nga ky takim. Tani qëllimi kryesor i autoriteteve është përpunimi i një politike të përbashkët në këto kushte tejet të vështira në të cilat ndodhet aktualisht vendi. Sepse, në fund të fundit, partia në pushtet është e detyruar të luftojë jo vetëm me opozitën në Majdan, por edhe me kontradiktat e brendshme, tha analisti politik Valeri Homjakov:

- Në fillim të dhjetorit disa nga deputetët e "Partisë së Rajoneve" deklaruan mbi daljen, tërheqjen e tyre nga fraksioni i saj parlamentar. Nëse do të ndodhë kjo, atëhere ne, me sa duket nga të gjitha, ne do të bëhemi dëshmitarë okularë të procesit të shpejtë dhe jo kretësisht të kontrollueshëm prej Viktor Janukoviçit të shpërbërjes së gjithë strukturës së pushtetit. Mund të ndodhë përçarja edhe në radhët e ushtarakëve.

Ndërkohë, Komisioneri Evropian Stefan Fule (Štefan Füle) deklaroi në Internet se puna mbi zhvillimin e marrëveshjes me Ukrainën është pezulluar. Kjo mund të vlerësohet si një përpjekje për të ushtruar presion mbi autoritetet ukrainase dhe për të përshpejtuar marrjen prej saj të vendimit mbi asocimin me BE-në, vë në dukje analisti politik Grigori Trofimçuk:

- Deklaratat e bëra nga disa zyrtarë të lartë të BE-së në lidhje me faktin se, BE-ja gjoja po pezullon procesin e nënshkrimit të marrëveshjes, nuk janë përfundimtare - deklarata zyrtare nga ana e Brukselit nuk ka patur. Detyra që shtrohet tani përpara BE-së është të perceptojë drejt situatën dhe ta kthejë atë në brazdën më të leverdisshme, më fitimprurëse për Bashkimin Evropian.

Situata në Ukrainë do të diskutohet në takimin e 19-20 dhjetorit në Bruksel. Ky është një sinjal mjaft i qartë për Kievin: gjithçka që Evropa mund t’i ofronte Ukrainës, ajo tashmë ja ka ofruar asaj, dhe se ky vend ajo nuk duhet të presë më ndofarë preferencash suplementare, thotë Grigori Trofimçuk.

Po përpiqet të ushtrojë presion mbi Kievin zyrtar edhe SHBA-ja. Të dielën përpara protestuesve në Sheshin e Pavarësisë (Majdan) folën senatorët amerikanë John McCain dhe Christopher Murphy. Më pas ata u takuan me Presidentin Viktor Janukoviç. Politikanët amerikanë janë kërcënuar me aplikim të sanksioneve ndaj Kievit, nëse autoritetet do të përdorin forcën kundër demonstruesve. Presidenti i Ukrainës i siguroi ata se tubimet e protestuesve nuk do të shpërndahen dhe se vendi do të vazhdojë kursin e integrimit evropian.

Qeveria e Ukrainës shpreson gjithashtu për zhvillimin e bisedimeve tripalëshe me Evropën dhe Rusinë në lidhje me sistemin e saj të transportimit të gazit. Ndërsa më 17 dhjetor, në takimin e Komisionit Ndërshtetëror ukrainas-rus në Moskë, autoritetet e Ukrainës shpresojnë të bien dakort me Rusinë për uljen e çmimeve të gazit. Kremlini nuk përjashton mundësinë e marrjes në të ardhmen e afërt të vendimit për dhënien e një kredie Ukrainës.