Raporti i përgatitur prej ekspertëve ndërkombëtarë është publikuar në faqen e Internetit të Zyrës për Çështje të Çarmatimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në të thuhet se ekspertët kanë studiuar shtatë raporte mbi përdorimin e armëve kimike në Siri gjatë periudhës mars-gusht të vitit 2013. Në pesë raste ata kanë gjetur në të vërtetë prova të përdorimit të substancës toksike kimike - gazit Sarin. Ndërkaq, autorët e raportit nuk kanë ndërmarrë përpjekje për të përcaktuar se cila prej palëve kundërshtare - trupat qeveritare apo forcat opozitare - kanë përdorur armë të shkatërrimit në masë. Pasi një detyrë e tillë as që është shtruar përpara tyre për arsye politike.

Ndërkaq, duhet thënë, se këto kohët e fundit qëndrimi i Perëndimit ndaj asaj çfarë po ndodh në Siri ka ndryshuar në mënyrë të dukshme. Nëse më parë SHBA-ja dhe disa vende të BE-së dilnin tërësisht në anën e opozitës, tani kjo nuk është më kështu. Dëshmi faktike e një konfirmimi të tillë është refuzimi i paradokohshëm i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të furnizuar kryengritësit me teknikë jo vdekjeprurëse ushtarake (non-lethal military equipment). Shkas për këtë shërbeu marrja me sulm e depove të armëve të grupit të moderuar "Ushtria e Lirë Siriane" prej radikaleve të Frontit Islamik. Situatën e krijuar e komenton eksperti Aleksandër Çekov:

- Vendet perëndimore kanë arritur të kuptojnë se në të vërtetë ndihma që ata i ofrojnë opozitës siriane bie në duart e islamistëve. Gradualisht Perëndimit po i kthjellohet mendja dhe ai po ndërgjegjësohet plotësisht në lidhje me faktin se duke vazhduar financimin e kundërshtarëve të Bashar Al-Assad, ai padashje po përforcon jo elementet e opozitës së moderuar, por ato radikale. Ndërsa kjo, nga ana e vet, çon në thellim të mëtejshëm të konfliktit.

Ia vlen të shtohet se qëndrimi i Moskës përkatësisht çështjes siriane po fillon të gjejë gjithnjë e më shumë mirëkuptim dhe mbështetje nga ana e shteteve të tjera. Nga njëra anë, sot pakkush merr guximin të kundërshtojë idenë se konflikti në Siri nuk ka asgjë të përbashkët me luftën për demokraci. Nga ana tjetër, veprimet konseguente të diplomatëve rusë detyruan madje edhe tutorët, mbështetësit e kundërshtarëve të Bashar Al-Assad të reagojnë me respekt ndaj hapave të Moskës. Kështu, kohët e fundit Princi i Kurorës i Bahreinit, Sheikh Salman bin Hamad al-Khalifa, deklaroi se duke arritur anulimin e sulmit amerikan mbi Sirinë, "rusët provuan se ata janë miq të vërtetë, të sigurtë". Në të njëjtën kohë, Sheikhu u shpreh në mënyrë jashtëzakonisht përbuzëse në lidhje me politikën e Uashingtonit ndaj Lindjes së Mesme, duke theksuar se asaj i mungon tërësisht planifikimi afatgjatë.