Evropa ka rënë dakord për të rishikuar disa nga kushtet e realizimit të marrëveshjes. Fjalë bëhet pikërisht për kushtet e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimin të Ukrainës me BE-në, dhe jo për ndryshimin e vetë dokumentit, thekson Zëvendësdrejtori i Institutit rus të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP/CIS), Igor Shishkin:

- Tani për tani nuk mund të thuhet kurrsesi se problemi për BE-në është zgjidhur dhe se Ukraina do ta nënshkruajë në mënyrë të padiskutueshme marrëveshjen me BE-në. Problemet, të cilat e detyruan Ukrainën të refuzojë nënshkrimin e Marrëveshjes në Vilnius, nuk janë ezauruar. Thjesht tani udhëheqja e Ukrainës është e gatshme për të bërë disa lëshime, por për të është fizikisht e pamundur që të plotësojë në masë të plotë të gjitha kërkesat e BE-së, edhe sikur ajo ta dëshironte shumë një gjë të tillë.

Eksperti beson se raundi i ri i negociatave për këtë dokument është rezultat i "presionit të fuqishëm që ushtrohet mbi Ukrainën". Nën ndikimin e Perëndimit Kievi zyrtar mund të pranojë madje edhe kushtet e disfavorshme për popullsinë e vendit të asocimit me BE-në, mendon Doktori i Shkencave Politike, Profesor Sergei Çerniahovskij:

- Me thënë të drejtën, kjo është shitje e sovranitetit të Ukrainës. Dhe ata që po e shesin sovranitetin e vendit nuk po arrijnë dot të bëjnë as ndonjë pazarllëk të leverdisshëm për të përfituar të paktën një çmim sa më të mirë për këtë. Domethënë, ata po e bëjnë këtë në kushte mjaft të disfavorshme për vendin.

Presioni mbi udhëheqjen e Ukrainës tani po ushtrohet kryesisht përmes protestave në Kiev. Dhe nuk do të jetë aspak për t’u habitur nëse trazirat do të shpërthejnë me një forcë të përtërirë si rezultat i provokimeve apo bisedimeve sekrete midis gjeopolitikanëve perëndimorë dhe opozitarëve ukrainas, paralajmëron eksperti për Ukrainën, Bogdan Bezpallko:

- Mund të thuhet me siguri të plotë se tani politikanët amerikanë dhe ata të BE-së po ndërhyjnë krejtësisht haptazi në punët e brendshme të Ukrainës. Ata madje as që përpiqen fare ta fshehin këtë. Ata vazhdojnë të ushtrojnë një presion të madh mbi Presidentin Viktor Janukoviç. Ne po e shohim këtë me sytë tanë, sepse një gjë e tillë po bëhet në mënyrë demonstrative.

Por herët a vonë, pavarësisht nga vizitat personale në Kiev të politikanëve amerikanë dhe evropianë, vala e protestës do të fillojnë të bjerë. Sipas mendimit të Bogdan Bezpallko, opozitës po i shterrojnë idetë se si të ngrejë moralin dhe të mbështesë më tej frymën luftarake të protestuesve.